AktualitetEkonomiTë fundit

Várhelyi përuron 2 objekte arsimore në Kamzë, financim i BE-së

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi përuroi sot shkollën 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri” dhe kopshtin nr. 8, “Luledielli” në Kamzë.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm gjithashtu ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, i Ngarkuari me Punë në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Alexis Hupin, përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, fëmijë, nxënës e mësues.

Me riparimin e shkollës 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri” dhe ndërtimin nga e para të kopshtit Nr. 8, “Luledielli” nëpërmjet Programit “EU4Schools”, përfitojnë drejtpërdrejtë 310 nxënës, 21 mësues, 75 fëmijë të kopshtit, 3 edukatore dhe 9 mijë banorë të komunitetit të Laknasit.

Gjatë kësaj vizite, Komisioneri Várhelyi dhe të pranishmit vizituan disa klasa, u njohën me fushatën “Unë e dua shkollën time” (#IloveMySchool) ku edhe ndërvepruan me nxënësit rreth anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe ndoqën nga afër ndeshjet e futbollit dhe volejbollit në terrenet e jashtme sportive.

Ata vizituan gjithashtu kopshtin dhe kaluan një kohë të shkurtër e shumë miqësore me fëmijët, disa prej të cilëve u angazhuan me mbjelljen e luleve të ndryshme në oborr.

Në fund, u mboll në mënyrë simbolike edhe një pemë ulliri.

Nëpërmjet këtyre 2 investimeve të “EU4Schools”, i është kushtuar rëndësi standardeve më të larta që institucionet arsimore duhet të kenë.

Objektet kanë 12 klasa bashkëkohore e dinjitoze për procesin mësimor; terrene sportive moderne dhe 3 laboratorë të rinj; dhomë e dedikuar për mjekun e psikologun; rampa dhe ashensorë për të krijuar lehtësi në aksesin e personave me aftësi të kufizuara; sistem qendror të ngrohjes dhe ftohjes; sisteme alarmi kundër zjarrit dhe të mbrojtjes nga zjarri;
kamera sigurie, dalje emergjence, kënd lojërash për fëmijë etj.

Këto janë dy prej 23 objekteve arsimore të rindërtuara apo riparuara deri tani në kuadër të “EU4Schools”, një program i cili financohet nga BE përmes një buxheti prej 75 milionë euro.

Programi zbatohet nga UNDP, i cili ka siguruar gjithashtu një investim prej 765,000 euro.

Ndërkohë aktualisht, puna vijon me intensitet të lartë në 15 objekte arsimore, të cilat janë në proces rindërtimi apo riparimi.

Me “EU4Schools” po ndërtohen shkollat e së ardhmes për brezat që vijnë, me standardet më të larta evropiane dhe për një arsim sa më cilësor në Shqipëri.

 

Fraksion.com