Situata në Ukrainë’; Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s takohet me krerët e Parlamentit Evropian
Më 28 prill 2022, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg vizitoi Parlamentin Evropian në Bruksel për një takim me Presidenten Roberta Metsola dhe për konferencën e presidentëve të shtatë grupeve politike në Parlament. Kjo është hera e parë që një Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s takohet me grupin e drejtuesve të partive të Parlamentit Evropian. Sekretari i Përgjithshëm vlerësoi Parlamentin Evropian për mbështetjen e tij të fortë ndaj Ukrainës dhe theksoi se partneriteti NATO-BE është jetik në këtë moment kritik për sigurinë tonë të përbashkët. Ai përmendi nivelin e jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë të bashkëpunimit midis dy organizatave për një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë Ballkanin Perëndimor, për kibernetikën, qëndrueshmërinë dhe sigurinë detare. Në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidenten Metsola, Sekretari i Përgjithshëm theksoi se NATO dhe BE “qëndrojnë së bashku në solidaritet me Ukrainën”. Ai përshëndeti sanksionet e forta ekonomike të BE-së ndaj Rusisë. Ai deklaroi se deri më sot, aleatët e NATO-s janë zotuar dhe kanë ofruar të paktën 8 miliardë dollarë mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe vazhdojnë të rriten.
“Unë kam qenë shumë herë në Parlamentin Evropian, por kjo është hera e parë që takohem me këtë grup ekskluziv të Presidentëve, pra me parti të ndryshme politike, ndaj mezi pres t’i takoj të gjithë dhe veçanërisht tani kur shohim që Bashkimi Evropian dhe NATO qëndrojmë së bashku në solidaritet me Ukrainën, Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione të paprecedentë, po ofron mbështetje ekonomike për Ukrainën. Aleatët e NATO-s gjithashtu kanë rritur mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe deri më tani aleatët e NATO-s janë zotuar dhe kanë ofruar të paktën 8 miliardë dollarë amerikanë në mbështetje ushtarake për Ukrainën. Dhe ne shohim rëndësinë e shtimit të mëtejshëm të mbështetjes sonë për Ukrainën. Pra, bashkëpunimi NATO-BE ka qenë gjithmonë i rëndësishëm, por veçanërisht tani kur vlerat tona thelbësore, demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial, sfidohen nga pushtimi brutal rus i Ukrainës. Është edhe më e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe NATO të qëndrojnë së bashku.”, tha Stoltenberg.
I pyetur nga gazetarët se sa shpejt mund të shkojë procesi i anëtarësimit në NATO nëse Finlanda dhe Suedia vendosin të aplikojnë, Sekretari i Përgjithshëm tha se “Natyrisht që Finlanda dhe Suedia duhet të vendosin nëse do të dëshironin të aplikonin për anëtarësim në NATO apo jo. Por nëse vendosin të aplikojnë, Finlanda dhe Suedia do të mirëpriten krahëhapur në NATO. Finlanda dhe Suedia janë partnerët tanë më të ngushtë, janë demokraci të forta, të pjekura, anëtarë të BE-së dhe ne kemi punuar me Finlandën dhe Suedinë për shumë e shumë vite. Ne e dimë se forcat e tyre të armatosura përmbushin standardet e NATO-s, janë të ndërveprueshme me forcat e NATO-s, ne stërvitemi së bashku, ne ushtrohemi së bashku, dhe gjithashtu kemi punuar me Finlandën dhe Suedinë në shumë misione dhe operacione të ndryshme. Pra, nëse ata aplikojnë, ata do të mirëpriten dhe gjithashtu pres që procesi të jetë i shpejtë dhe se ata më pas mund të anëtarësohen në NATO pasi të jetë finalizuar procesi formal.”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Fraksion.com