Mali i Zi pritet të bëhet me Qeveri të re
Kuvendi i Malit të Zi pritet të votojë të enjten, 28 prill, Qeverinë e re të pakicës me në krye Dritan Abazoviqin.
Sipas njoftimit të mëhershëm të tij, Qeveria pritet të përbëhet nga Lëviza Qytetare URA, të cilën e udhëheq Abazoviq, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Social-Demokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Kabineti i ri pritet të ketë 18 ministri dhe katër zëvendëskryeministra.
Abazoviq ka thënë më herët se Qeveria e tij do të ketë mbështetjen e 46 deputetëve, nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.
Mbështetje parlamentare për këtë Qeveri ka paralajmëruar edhe Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, por pa pjesëmarrje në të.
Qeveria e re pritet të zgjidhet gati tre muaj pasi Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.
Qeveria e Krivokapiqit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion midis Frontit Demokratik – pro serb – Demokratëve, dhe Lëvizjes URA.
Por dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit – disa pro-serbë, disa pro-evropianë – kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt duke ndikuar edhe në vendimmarrje.
Fraksion.com