AktualitetBota+Të fundit

Guterres: Lufta është krimi më i rëndë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, arriti të enjten në Ukrainë me qëllim që të punojë për “zgjerimin e mbështetjes humanitare dhe sigurimin e evakuimit të civilëve nga zonat e konfliktit”, tema që ishin pjesë e bisedimeve të tij në fillim të kësaj jave me presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov.

Para se të shkonte në takim me presidentin ukrainas, zoti Guterres vizitoi disa zona në afërsi të kryeqytetit që pësuan rëndë gjatë agresionit të forcave ruse.

Gjatë vizitës në Borodyanka, Bucha dhe në Irpin, ai tha se “civilët paguajnë gjithmonë çmimin më të lartë” në çdo luftë.

“Kur i shoh ato ndërtesa të shkatërruara, duhet të them atë që ndjej. E përfytyrova familjen time në një nga ato shtëpi, tani të shkatërruara… I pashë mbesat e mia duke ikur në panik, një pjesë të familjes përfundimisht të vrarë”, tha ai. “Pra, lufta është një absurditet në shekullin e 21-të. Lufta është e ligë. Dhe kur dikush i sheh këto situata, zemra natyrisht, mbetet me viktimat”.

Duke folur me gazetarët, sekretari Guterres i bëri thirrje Rusisë të bashkëpunojë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

“Kur flasim për krimet e luftës, nuk mund të harrojmë se krimi më i rëndë është vetë lufta”, tha ai.

Trupat e 1,150 civilëve janë gjetur në rajonin e Kievit dhe 50-70 për qind e tyre kanë plagë nga plumbat, , tha policia e Kievit të enjten. Shefi i policisë rajonale të Kievit, Andriy Nebytov, tha se shumica e trupave ishin gjetur në qytetin Bucha, ku qindra kufoma janë zbuluar që kur forcat ruse u tërhoqën.

Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar civilët që nga agresioni mbi Ukrainën më 24 shkurt. Ajo i ka quajtur pretendimet se forcat ruse ekzekutuan civilë në Bucha një “falsifikim monstruoz”, që synon denigrimin e ushtrisë ruse./VOA

 

Fraksion.com