Vrasja e Behar Sofisë; SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim 5 të pandehurit
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve për vrasjen e Behar Sofisë, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurit:
Leonard Xhixha, Bujar Leza, Skënder Vathi, Xhuljano Visha, Ernejt Shyti.
Ata akuzohen për një sërë veprash penale, ku kryeson “vrasja me paramendim”
“Të pestë të pandehurit janë dërguar për gjykim me masë sigurimi arrest në burg dhe të akuzuar për veprat penale si vijon:
“Vrasja me paramendim” në dëm të viktimës Behar Sofia, finalizuar në datën 25.2.2021; “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal;
“Grupi i strukturuar kriminal” në rolin e pjesëmarrësit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2 278/1, 333/a/2 dhe 334 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Si ndodhi ekzekutimi i Behar Sofisë?
Një vit më parë, Behar Sofia ishte duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.
Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës së Piramidës dhe Katedrales Katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskën mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.
Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.
Fraksion.com