Rama: Centralet fotovoltaike lundruese, rrugë e re për të krijuar rezerva energjetike
Kryeministri Edi Rama theksoi sot se burimet alternative të energjisë nga panelet diellore dhe centralet fotovoltaike lundruese janë një rrugë e re për të krijuar siguri dhe rezerva energjetike.
Rama tha se “Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të nisë të prodhojë energji elektrike nga centrali fotovoltaik i Vaut të Dejës, i pari projekt i realizuar i këtij lloji në vendin tonë dhe në rajon”.
Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi sot të licencojë shoqërinë KESH sh.a në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik i digës Qyrsaq në hidrocentralin e Vaut të Dejës, me kapacitet 5143 kWp.
Impianti fotovoltaik në digën e Qyrsaqit është vendosur në funksionim në shkurt të këtij viti.
Ndërtimi i këtij impianti është në funksion të nevojës për diversifikimin e portofolit të prodhimit të KESH sh.a nga burimet e rinovueshme të energjisë.
Objektiv kryesor i zhvillimit të këtij centrali është diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë elektrike nga KESH sh.a.
Fraksion.com