AktualitetBota+Të fundit

“Po i nisëm armë, ‘mbaron’ Moska”; SHBA: Ukraina mund ta fitojë luftën me Rusinë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin e çeli takimin me ministrat e Mbrojtjes së mbi  40 vendeve në bazën ajrore amerikane të Ramstein në Gjermani duke shprehur besimin se Ukraina mund të triumfojë kundër Rusisë në konfliktin që ka hyrë tashmë në muajin e tretë.

Ishte shefi i Pentagonit ai që e organizoi këtë takim pas vizitës në Kiev ku i premtoi më shumë mbështetje ushtarake presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Lloyd Austin: Siç e shohim sot, kombet nga e gjithë bota qëndrojnë të bashkuara në vendosmërinë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit të Rusisë. Ukraina beson qartë se mund të fitojë dhe kështu besojmë të gjithë këtu.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, sqaroi se qëllimi kryesor i bisedimeve është bashkërendimi i shtimit të ndihmës për Kievin që përfshin armatim të rëndë, si dhe dronë luftarakë dhe municione.

Ai nënvizoi se javët e ardhshme do të jenë kritike. Ukrainasit, tha Milley, kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme në mënyrë që të jenë të suksesshëm në fushën e betejës e ky është dhe qëllimi i kësaj konference.

Pas dështimit për të marrë Kievin, Moska e ktheu fokusin e ofensivës së saj drejt lindjes, duke nisur një mësymje tokësore në rajonin e Donbasit. Shtetet e Bashkuara gjithashtu vlerësojnë se shumë njësi ruse janë dobësuar, me disa që kanë humbur rreth 30 për qind të ushtarëve, një nivel që konsiderohet shumë i lartë nga ushtria amerikane për të vazhduar luftimet.

Sipas vlerësimeve të zbulimit britanik, rreth 15,000 ushtarë rusë janë vrarë në konflikt, ndërsa janë shkatërruar 2,000 automjete të blinduara, përfshirë rreth 530 tanke, si dhe 60 helikopterë dhe avionë luftarakë.

 

Fraksion.com