AktualitetPolitikëTë fundit

Peticioni online kundër Ambasadores Yuri Kim, ish-ministri i Jashtëm: Nismë e nxituar, nga brenda PD më kanë thënë se…

Një peticion online ka filluar të qarkullojë së fundmi në rrjete sociale. Ajo, konsiston në një formë proteste ndaj Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

Në peticion, renditen arsyet se përse është ndërmarrë një hap i tillë dhe më kryesorja ka të bëjë me qëndrimet që sipas tyre Ambasadorja Kim ka mbajtur ndaj zhvillimeve në PD.

Në peticion, shkruhet mes të tjerash se, “qëndrimet e Znj. Yuri Kim bien ndesh jo vetëm me statusin e saj diplomatik dhe nenin 41 të Konventës së Vjenës, por kanë cënuar fort aftësinë e vendit për të pasur një opozitë serioze ndaj një qeverie që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e veta, e klasifikon thellësisht të korruptuar”.

Peticioni i plotë:

“Ambasadorja Kim, Mjaft është Mjaft!”
Kohët e fundit, kemi parë me shqetësim sjelljen jo-diplomatike dhe ndërhyrjet e paprecedenta të Ambasadores të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Yuri Kim në ekuilibrat e brishtë të demokracisë dhe institucioneve shqiptare.
Qëndrimet e Znj. Yuri Kim bien ndesh jo vetëm me statusin e saj diplomatik dhe nenin 41 të Konventës së Vjenës, por kanë cënuar fort aftësinë e vendit për të pasur një opozitë serioze ndaj një qeverie që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e veta, e klasifikon thellësisht të korruptuar.
Intimidimi i vazhdueshëm ndaj forcave opozitare, ndërhyrja në procesin e tyre te votimeve te brendshme apo trysnia që i bëhet drejtësisë nga Znj. Kim janë shumë shqetësuese pasi minojnë demokracinë dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit.

Në 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Amerikano-Shqiptare, shikojmë me trishtim se imazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dëmtuar edhe për shkak të ndërhyrjeve brutale të znj. Kim në çështjet e brendshme të vendit në të cilin gjithsesi ajo është një mysafire.

Demokracia Amerikane që vazhdon të mbetet ëndrra e modeli i shumicës dërrmuese të shqiptarëve të cilët i lidh me SHBA një ndjenjë e thellë mirënjohjeje e partneriteti, na mëson që asnjë qytetar me dinjitet nuk duhet të pranojë këtë lloj trajtimi dhe “diplomacie”!
Përveç të tjerave ky stil “diplomatik” nuk përfaqëson vlerat e demokracisë së SHBA!
Për këtë arsye, i bëjmë thirrje çdo shqiptari të ndershëm brenda dhe jashtë Shqipërisë që mendon se rruga drejt demokracisë nuk kalon nga makinacionet e intrigat por vetëm nëpërmjet votës së lirë dhe verdiktit të shumicës të na bashkohet në reagimin qytetar për dinjitet duke firmosur peticionin: “Ambassador Yuri Kim, Enough is Enough”.
Si qytetarë shqiptarë dhe miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kërkojmë Departamentit Amerikan te Shtetit që përfaqësuesja e SHBA në Shqiperi, Znj. Yuri Kim ti përmbahet statusit diplomatik dhe të ndalojë menjëherë ndërhyrjet brutale në politikën e brendshme dhe institucionet shqiptare!
Ne kemi bindjen se vetëm një diplomaci korrekte ndihmon demokracinë tonë dhe frenon dëmtimin e mëtejshëm të imazhit të SHBA-së tek shqiptarët, të cilët sot e kësaj dite e konsiderojnë atë tempullin e lirisë dhe demokracisë.

Ndërkaq, ky peticion ka marrë kundërshtinë e ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili është pozicionuar në krah të Berishës në debatin e brendshëm të PD. I ftuar në “ABC News” ai ka thënë se kjo nismë është e nxituar, pasi Ambasadorja Kim, përfaqëson SHBA-të në vendin tonë.

Ai theksoi se kjo që po ndodh në Shqipëri nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës.

Ndërkohë që nënvizoi se në bisedat që ka patur me miqtë e tij në PD, i kanë thënë se nuk do e mbështesin këtë nismë.

“Për mua është rruga e papërshtatshme për t’i përcjellë DASH pakënaqësinë e një grupi njerëzish. Ata që marrin nisma të tilla harrojnë që ambasadorja përfaqëson vendin e saj. Unë nuk di vende të tjera të kenë bërë këtë rrugë, për ndonjë ambasadorë amerikanë. Ambasada amerikane, SHBA dhe BE janë nxitësit dhe mbështetësit e Reformës në Drejtësi, pra nuk është hera e parë e ndërhyrjes së ambasadores Kim. Nuk vlen më të merremi me komentet se çfarë bën ambasadorja. Për mua kritikat duhet të merren ndaj gjyqtares jo ndaj ambasadores”, tha Mustafaj.

 

Fraksion.com