AktualitetEkonomiTë fundit

KESH merr licencën për prodhimin e energjisë nga centrali fotovoltaik i digës Qyrsaq

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi të licencojë shoqërinë KESH sh.a në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik i digës Qyrsaq në hidrocentralin e Vaut të Dejës me kapacitet 5143 kWp.

Impianti fotovoltaik në digën e Qyrsaqit është vendosur në funksionim në shkurt të këtij viti.

Ndërtimi i këtij impianti është në funksion të nevojës për diversifikimin e portofolit të prodhimit të KESH sh.a nga burimet e rinovueshme të energjisë.

Objektiv kryesor i zhvillimit të këtij centrali është diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë elektrike nga KESH sh.a.

Aktualisht KESH prodhon energji elektrike nga burimet hidrike në masën 100 % dhe një iniciativë e tillë është pozitive në funksion të shtrirjes së mëtejshme të kësaj teknologjie edhe në sipërfaqe të pashfrytëzueshme të ngjashme.

Risku i lartë hidrologjik, për shkak të natyrës së burimeve të prodhimit të energjisë elektrike si dhe nevojës për import të përvitshëm, jo vetëm që cenon sigurinë e sistemit por gjithashtu edhe atë të furnizimit për shkak të kostove që i shkaktohen sektorit dhe për rrjedhojë konsumatorit fundor.

Referuar konsumit mesatar vjetor të një familje në vendin tonë, energjia e parashikuar për prodhim vjetor nga impianti në fjalë do të mjaftonte për furnizimin me energji të pastër të 1900 familjeve.

Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të ndryshme nga ato hidro si dhe politikës për ndërtesat me net-zero energji është një nga angazhimet e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

KESH bën të ditur se potenciali për zhvillimin e projekteve të ngjashme është i madh nëse i referohemi strukturave ekzistuese (digave të mesme dhe të vogla). “Zhvillimi i një projekti të tillë është vlerë e shtuar në funksion të vlerësimit real të mundësive për investim qoftë nga fondet publike (subjekti administrues i digave etj.), por edhe subjektet private”, deklaron KESH.

 

Fraksion.com