Der Leyen kërkon zvogëlimin e varësisë nga nafta dhe gazi rus
Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se varësia nga karburantet e Rusisë është e paqëndrueshme.
Von der Leyen mori pjesë në një takim të zhvilluar në kryeqytetin indian, Nju Delhi si pjesë e Aleancës Ndërkombëtare të Energjisë Diellore, një nga nismat ndërkombëtare të Indisë.
“Lufta në Ukrainë ka qenë një kujtesë e fortë për Evropën se varësia nga karburanti rus është e paqëndrueshme”, deklaroi ajo.
Der Leyen theksoi se kalimi në energjinë e rinovueshme është një e mirë për mjedisin dhe një investim strategjik i sigurisë.
“Kjo është arsyeja pse Komisioni Evropian do të prezantojë një strategji të re diellore brenda projektit REPowerEU të BE-së muajin e ardhshëm”, tha Von der Leyen.
Duke kujtuar deklaratat e kryeministrit indian, Narendra Modi, se India duhet të jetë e pavarur në energji përpara vitit 2047, kur do të festohet 100-vjetori i pavarësisë së saj, Von der Leyen tha se shndërrimi i lëndëve djegëse fosile në energji të rinovueshme dhe të pastër është interes i përbashkët i BE-së dhe Indisë.
Von der Leyen deklaroi se India dhe BE-ja janë të vendosura në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Presidentja e KE-së u shpreh se duhet të merren masa urgjente për këtë çështje.
Duke tërhequr vëmendjen për rritjen e përdorimit të energjisë, Von der Leyen theksoi se energjia shtesë duhet të jetë e pastër dhe e gjelbër dhe për këtë nevojitet vendosmëri politike dhe investime.
Von der Leyen kujtoi se zinxhiri global i furnizimit u ndërpre për shkak të pandemisë së COVID-19.
Duke përmendur se siguria e zinxhirit të furnizimit global është bërë një çështje e rëndësishme, Von der Leyen tha se ekziston nevoja që India dhe BE-ja të bashkëpunojnë për këtë siguri.
Fraksion.com