AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Biden emëron diplomaten Bridget Brink për postin e ambasadores në Ukrainë

Presidenti Joe Biden emëroi diplomaten me përvojë Bridget Brink për postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, tha Shtëpia e Bardhë të hënën, duke ndërmarrë kështu hapa për të plotësuar një pozicion vendimtar ndërsa Uashingtoni intensifikon përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën t’i bëjë ballë agresionit rus.

Posti ka qenë i paplotësuar për afro tre vjet.

Ambasadorja Brink, një diplomate karriere shërben që nga viti 2019 si ambasadore në Sllovaki. Ajo ka shërbyer më parë në Serbi, Qipro, Gjeorgji dhe Uzbekistan, si dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo është nga Miçigani dhe flet gjuhën ruse.

“Përvoja dhjetëvjeçare e ambasadores Brink e bën atë personin më të përshtatshëm për këtë moment në historinë e Ukrainës,” thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Emërimi kërkon konfirmimin nga Senati amerikan. Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur ambasador në Ukrainë që kur ish-presidenti Donald Trump tërhoqi papritur ambasadoren e atëhershme amerikane, Marie Yovanovitch në maj 2019.

Këshilltarët demokratë dhe republikanë të Senatit thanë se nuk parashikonin probleme në procesin e miratimit të ambasadores Brink. Ajo u konfirmua me votim unanim në vitin 2019 kur ish-presidenti republikan Donald Trump e emëroi për postin aktual në Bratisllavë.

Njoftimi për emërimin e saj u bë gjatë një udhëtimi në fundjavë të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin në kryeqytetin ukrainas Kiev, ku ata takuan Presidentin Volodomyr Zelenskiy dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas.

Uashingtoni njoftoi gjithashtu se diplomatët amerikanë do të kthehen në Ukrainë këtë javë — fillimisht duke rifilluar “udhëtimet ditore” nga Polonia, ku ata janë aktualisht të stacionuar për në qytetin ukrainas perëndimor të Lviv përtej kufirit.

“Prania e shtuar e SHBA-së tregon mbështetjen tonë për Ukrainën dhe është pjesë e angazhimit të SHBA-së për të kthyer diplomatët tanë në Ambasadën tonë në Kiev sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

Diplomatët amerikanë u larguan nga ambasada e Kievit gati dy javë përpara se të fillonte agresioni rus më 24 shkurt, duke zhvendosur disa funksione në Lviv përpara se të zhvendoseshin përfundimisht në Poloni.

 

Fraksion.com