Ish-gjenerali: Me urën tokësore për në Krime Rusia mund të ushtrojë presion të madh
Marrja e Mariupolit mund t’i japë ushtrisë ruse një avantazh vendimtar në luftën për Donbassin, beson eksperti ushtarak Walter Feichtinger: Kontrolli mbi rajonin nga Khersoni në Luhansk.
Walter Feichtinger: Nëse presidenti Putin e quan sukses marrjen e Mariupolit, të paktën kjo duhet të vendoset në thonjëza dhe të shihen fotot e Mariupolit. Është një qytet që është bërë shkrumb e hi, ku kemi një numër të jashtëzakonshëm viktimash civile, dhe ku, në uzinën e çelikut, ka ende një rezistencë që ndoshta mund ta njollosë disi këtë fitore të palës ruse. Por kjo tregon gjithashtu se sa të domosdoshme e ka presidenti Putin të flasë për një sukses, sepse lufta e zhvilluar deri tani nuk ka qenë e suksesshme.
Ushtarakisht, natyrisht, tashmë ka njëfarë suksesi nga pala ruse. Nëse Mariupoli vihet nën kontroll, është e mundur të vendoset këtu ura tokësore midis Krimesë dhe Donbassit. Me këtë territor të madh në vazhdimësi, që shtrihet nga Khersoni në Mariupol dhe në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, Rusia tashmë mund të ushtrojë presion të madh. Ndoshta ky është qëllimi i fazës tjetër, gjatë së cilës mund të mendohej edhe për diskutime dhe bisedime për paqen, sepse Rusia ka arritur të marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit.
Por nuk duhet të nënvlerësojmë as vlerën simbolike. Mariupoli ishte objektiv i deklaruar që në vitin 2014, kur ishte fjala për krijimin e territoreve separatiste. Atë gjithashtu e sulmuan shkurt, por sulmi u zmbraps.
Putini nuk dëshiron të sulmojë uzinën e çelikut Azov, por ta rrethojë atë. Çfarë arsyesh mund të ketë ai për këtë?
Kjo është e kuptueshme nga pikëpamja ushtarake, pasi një luftë në një rajon të tillë është tepër e shtrenjtë, duhet të priten shumë viktima. Nga pala ruse, ata përdorin në vend të kësaj një metode që unë do ta përshkruaja si të pabesë, e cila konsiston në bllokimin e kundërshtarit, bombardimin e tij nga ajri dhe pritjen derisa të mbarohet gjithçka: armë, municion dhe natyrisht furnizimi me ushqime.
Aktualisht, nuk shoh ndonjë arsye të vërtetë politike (për një sulm – shënim i redaktorit) kundër uzinës së çelikut. Bëhet fjalë për vendosjen e kontrollit ushtarak mbi të gjithë Mariupolin dhe aftësinë për të çliruar forcat e veta.
A do t’i lejojë Rusisë kapja e plotë e Mariupolit të sigurojë më shumë trupa për një ofensivë në Donbass?
Kjo ndoshta është shpresa e palës ruse dhe si pasojë atëherë mund të tërhiqen disa mijëra ushtarë. Megjithatë, kjo nuk është forca e madhe dhe vendimtare që mund të hidhet në betejë. Ky është një përforcim i vogël duke marrë parasysh territorin e gjerë që nuk është ende nën kontrollin rus në rajonin e Donetskut./dw
Fraksion.com