AktualitetEkonomiTë fundit

Ibrahimaj në takimet e pranverës me FMN dhe BB: Masat e marra nga qeveria dhanë efekt

Efektet e luftës në Ukrainë, zhvillimet më të fundit ekonomike globale dhe ecuria e reformave në Shqipëri janë diskutuar në Takimet e Pranverës që ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, në SHBA.

Delegacioni shqiptar përfaqësohej nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe Guvernatori i BSH, Gent Sejko, të cilët gjatë datave 21-23  prill zhvilluan takime me drejtues të lartë të dy institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare.

Ministrja Ibrahimaj zhvilloi takime me Alfred Kammer, drejtor i departamentit Evropian, Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, si dhe përfaqësues nga grupi i BB-së – Anna Bjerde, zëvendëspresidente për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, dhe Suri Sarvesh, drejtor i Agjencisë së Garancisë Shumëpalëshe të Investimeve, MIGA, grupi i Bankës Botërore.

Pikat kryesore gjatë takimeve ishin paraqitja e situatës aktuale makrofiskale si dhe parametrat kryesorë ekonomikë të Shqipërisë nën influencën e krizës së Ukrainës, situata pozitive dhe e favorshme përpara krizës, kriza energjetike, rritja e çmimeve, si dhe përgatitja e skenarëve të mundshëm për përballimin e krizës.

Gjithashtu në këto takime u diskutuan dhe ecuria e reformave të nisura nga qeveria shqiptare.

Nga të dy institucionet u vlerësuan këto reforma, pasi kanë ndikuar pozitivisht si në terma të rritjes ekonomike, dhe zgjerimit të punësimit, çka tregon dhe qëndrueshmërinë e tyre.

Të dyja institucionet ndërkombëtare shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur teknikisht dhe financiarisht reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

 

Fraksion.com