Gati projekti i Lungomares në Plazhin e Durrësit
ryeministri Edi Rama kërkoi sot që në vjeshtë të nisë puna për ndërtimin e Lungomares në Plazhin e Durrësit, një projekt madhor me impakt të lartë ekonomik.
Kryeministri u njoh sot me projektin, gjatë një takimi në Durrës me kryetaren e bashkisë, Emiriana Sako dhe projektuesit e ndërhyrjes së madhe për një Lungomare në Plazhin e Durrësit.
Ndërsa kërkoi që zbatimi i projektit të nisë në vjeshtë, pas përfundimit të sezonit turistik, Rama tha që ndërkohë duhet të informohen për projektin pronarët e hoteleve përgjatë vijës bregdetare, të cilët duhet të kuptojnë se Lungomare është një vlerë e shtuar.
“Duhet ta bëjmë plazhin model dhe duhet që brenda këtij mandati ky plazh të jetë krejt tjetër. Do ta fillojmë këtë vit”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se projekti i ri do të krijojë një vlerë tjetër të shtuar dhe do të rritet shumë vlera e apartamenteve dhe hoteleve.
Ndërkohë, sipas tij, do t’i bashkëngjitet këtij projekti edhe porti i ri turistik, që është ende në fazën e negocimit dhe së shpejti do të jetë në ndërtim.
“Lungomaren e Durrësit do e bëjmë si në Vlorë. Kjo duhet të bëhet spektakolare, sepse ka potencial shumë të madh për t’u bërë siç duhet. Duhet ta detajojmë deri në fund me kujdes dhe duhet të shikoni në realitet para çdo godine se si është situata. Duhet bërë një projekt për gjithë pjesën e godinave që të sistemohet dhe për gjelbërimin duhet të merren pemë që të jenë pak të rritura”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri kërkoi që në një fazë tjetër të projektit të përgatitet edhe një ndërhyje në det, një shqiponjë në det që të jetë zonë turistike.
“Një shqiponjë e madhe e kompletuar nga A-ja, te ZH-ja, e re komplet, dhe aty bashkia duhet të nxjerrë dhe përfitime. Ndërkohë bëni kujdes me përdorimin e materialeve të drurit që degradojnë shpejt nga kripa. Nuk funksionon me platforma druri”, tha Rama.
Projekti i Lungomares së Durrësit shtrihet në një hapësirë prej 3 km, nga ura e Dajlanit deri te Konvaleshenca.
Në gjithë vijën bregdetare janë rreth 58 godina hotelerie me 3100 shtretër.
Projekti merr një rëndësi të madhe duke pasur parasysh se gjatë sezonit turistik, popullsia në këtë zonë rritet me 600 mijë banorë.