AktualitetTë fundit

“Jam i rrezikuar nga subjektet e krimit”; Saimir Tahiri kërkon pezullimin në Gjykatë të Lartë:

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i dënuar nga Apeli i GJKKO për shpërdorim detyre me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie dhe po vuan dënimin në burgun e Fierit, ka bërë kërkesë në Gjykatën e Lartë për pezullimin e dënimit me burg.

Në kërkesën e siguruar nga gazetari i Report Tv Arsen Rusta, Tahiri thotë se vendimi i Apelit është marrë në kundërshtim me ligjin, ndërsa ka theksuar se është i rrezikuar nga subjektet e krimit.

Tahiri pretendon se me vendim për dënim të tij, vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit është vënë në ekzekutim menjëherë në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe në shkelje te të drejtave dhe lirive themelore të shtetasit Saimir Tahiri, pa respektuar procedurën ligjore.

“Duke parashtruar se në rastin konkret vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim e të pandehurit Saimir Tahiri, mund të spasjellë pasoja të rënda për vetë të pandehurin si dhe për familjen e tij.  Kështu, Z.Tahiri ka mbajtur funksionin e ish Ministrit të Brendëshëm të Republikës së Shqipërisë ai rrezikon dhe mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier. Nga ana  tjeter edhe familja e tij gjendet e ekspozuar ndaj pasoja të mundshme. Nga rekursi bashkëlidhur është e qartë që vendimi nr.03, datë 04.03.2022 i Gjykatës së Posaçme të Apelit është një vendim i marrë në shkelje flagrante të ligjit sa i përket procesit të rregullt ligjor dhe vijimi i ekzekutimit të tij cënon rëndë jo vetëm interesat e të dënuarit Saimir Tahiri, por edhe të drejtësisë. Në këto rrethana ndodhemi përpara kushteve dhe rrethanave të parashikuara në gërmën “c” pika 1 të nenit 476 të K.Proçedurës Penale ku parashikohen rastet e shtyrjes se ekzekutimit të vendimit dhe ne referencë të të pikës 1 të nenit 417 të K.Proçedurës Penale,  kërkojmë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që sa më sipër mbasi të shqyrtojë këtë kërkesë të vendosë”, thuhet në kërkesën e Saimir Tahirit.

Por disa ditë më parë SPAK ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për Saimir Tahirin. SPAK e konsideron vendim të gabuar që ish ministri Tahiri të dënohet vetëm për shpërdorim detyre, por se ka prova të mjaftueshme që ai të përballet edhe për veprat penale të trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal. Për këtë arsye SPAK kërkon prishje të vendimit të Apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykuese.

Saimir Tahiri u dënua për shpërdorim detyre, por sipas SPAK ish ministri ka kryer veprat penale të trafikimit të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal duke u krijuar kushtet dhe lehtësira anëtarëve grupit kriminal të Moisi dhe Florian Habilajt.

Në rekursin e  SPAK thuhet se Moisi dhe Florian Habilaj ka pasur mbështetjen e efektivëve të shtetit duke u krijuar lehtësira në kryerjen e trafikut të drogës.  Këto lehtësira sipas SPAK është e faktuar në episodet e dokumentuara të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali.

Gjithashtu SPAK thotë se është faktuar se mes Moisi dhe Florian Habilaj dhe punonjësve të ministrisë së brendshme dhe policëve të Drejtorisë së Policisë Vlorë kanë pasur komunikime të vazhdueshme, që për SPAK është provë në marrëdhënien e tyre të aktivitetit kriminal.

Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.  Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.

Sipas Gjykatës, Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit. Saimir Tahiri po vuan dënimin në burgun e Fierit.

 

Fraksion.com