AktualitetRajoniTë fundit

Presidenti Radev: Maqedonasit, shpikje e Internacionales Komuniste

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka deklaruar se identiteti maqedonas është shpikur nga Internacionalja Komuniste dhe se gjatë “diktaturës jugosllave” në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, dhjetëra mijëra bullgarë janë dërguar në kampet e përqendrimit.

“Është koha që ideologjia anti-bullgare, e cila po lulëzon në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe padyshim që i helmon marrëdhëniet tona dhe e dëmton qëllimisht rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian, të mbetet në të kaluarën. Përpjekja e politikanëve maqedonas për të ndërtuar një identitet të bazuar në falsifikimet e Internacionales Komuniste, dhe jo në të vërtetën historike, është në kundërshtim me interesat e qytetarëve maqedonas që me të vërtetë dëshirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Radev në një konferencë për media në Sofje.

Deklarata e kreut të shtetit bullgar vjen pas përplasjeve mes Shkupin lidhur me Vanço Mihajllovin, një personalitet nga e kaluara, që kontestohet nga zyrtarët maqedonas, pasi sipas tyre, Mihajllovi ishte “fashist” që ka luftuar për asimilimin e maqedonasve në Bullgari.

Tensionet u ngritën pasi të shtunën, më 16 prill, në qytetin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut u hap një klub kulturor bullgar me emrin e tij, ndërsa në hapje mori pjesë edhe kryeministri bullgar, Kiril Petkov.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, deklaroi të enjten se hapja e klubit bullgar në Manastir me emrin e Vanço Mihajllovit ishte një provokim serioz nga pala bullgare.

“Për sa i përket asaj që ndodhi të shtunën, nuk është gjë tjetër veçse një provokim sepse zgjon shpirtrat e së shkuarës. Ai është një person që ka qenë bashkëpunëtor i Gjermanisë së Hitlerit dhe i Italisë së Musolinit dhe i Ante Paveliqit dhe që nuk mund të kontribuojë aspak si një person që mund të jetë urë për të ardhmen, për miqësinë mes dy popujve dhe si një urë për rrugën evropiane të shtetit”, tha Kovaçevski.

Ndërkohë, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka hedhur poshtë pretendimet e presidenti bullgar, Rumen Radev, se “në llogoret e përqendrimin në Luftën e Dytë Botërore janë dërguar dhjetëra-mijëra persona ku janë vrarë për shkak se janë deklaruar si bullgarë”.

“Nuk ka asnjë burim të vetëm historik përkatës që do të konfirmonte se në atë kohë në kampet e Maqedonisë janë vrarë 10,000 njerëz. Asnjë burim, as në historiografinë bullgare, as maqedonase dhe as në atë botërore. Diçka që mund të hyjë në përkufizimin e kampeve të përqendrimit në kohën e ish-Jugosllavisë ekziston vetëm në Goli Otok. As atëherë dhe as sot në territorin e Maqedonisë nuk ka pasur kampe. Shifra prej 10,000 të vrarëve të dyshuar është një gënjeshtër. Është një konstruksion i zhveshur për qëllime politike”, ka deklaruar Pendarovski.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian. Sofja konteston gjuhën dhe identitetin maqedonase duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në identitetin e tyre. Bullgaria gjithashtu kërkon respektimin e të drejtave të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut duke kërkuar përfshirjen e tyre në kushtetutën e këtij vendi, si popull shtetformues./rel

 

Fraksion.com