“Për ne është i vdekur”; Berisha: Rama ka frikë nga unë
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur pas ndërprerjes së seancës jashtë parlamentit. Lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama se “Berisha për ne është i vdekur, nëse merr drejtimin ndërpresim çdo marrëdhënie me PD”, ish-kryeministri tha se kjo e nderon sepse qëllimi i tij është rrëzimi i Ramës sa më shpejtë.
Ai tha se në seancë do fliste për çështjen e incidentit të Ramës në avionin e “Lufthansës”.
“Në çdo aspekt më takonte fjala. Siç e vini ju ka një seleksion politik. Por unë dola për diçka tjetër. Edi Rama ulej aty jo vetëm si kreu i organizatës kriminale, të djegësve, por edhe si njëri që është përzënë nga avioni me dhunë. Tani dy momente dua të theksoj, çfarë do i thosha në parlament. Nga Lufthansa e largoi policia gjermane me kërkesë të punonjësve të shërbimit të avionit. Ju duhet ta dini se në avion policia ndërhyn strikt vetëm në dy rrethana: rrethana e parë kur transportohen të burgosur dhe njëra polici ia dorëzon policisë tjetër. Pasagjerët e panë që 2 metroshi nuk kishte hekura në duar, nuk ishte i burgosur.
Ata u tmerruan dhe unë këtë do t’ia thosha në parlament sepse në rast tjetër kur policia ndërhyn në avion, kur ka sinjale se kanë ardhur terroristë. Atë e besuan të gjithë ata që nuk e njihnin se është kryeministri i Shqipërisë. Ngjalli një frikë të tmerrshme në avion, te pasagjerët. Këto do t’i thosha unë Edi Ramës dhe do t’ia them tani, por ia mbathi. Në vend se të kërkonte ndjesë publike për superskandalin që bëri në udhëtimin e tij, duke menduar se është në Shqipëri dhe se ligji nuk ekziston për të as në Gjermani përdori një gjuhë të denjë vetëm për atë”, tha Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha sakaq, iu përgjigj sërish deklaratave të kryeministrit Edi Rama. Ai tha se është nderë i veçantë për të që PS të mos bashkëpunoj me të, ndërsa shtoi se do të vijojë betejën e tij derisa të marrë vendin që meriton. Berisha foli gjithashtu edhe për incidentin në avion, ku është përfshirë Rama.