AktualitetPolitikëTë fundit

Balluku: Bordi bën transparencë mbi çmimin e naftës, mbrojmë qytetarin nga abuzimi

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë  fjalës në Kuvend tha se, “çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është dyfishuar duke impaktuar një sërë industrish dhe çmime produktesh, dhe kriza energjetike ndërkombëtare nuk ka kursyer as Shqipërinë”.

Balluku theksoi se, përballë kësaj situate qeveria shqiptare vendosi të marrë masa për të monitoruar dhe mbajtur nën kontroll çmimet e naftës dhe nënprodukteve të saj, gjatë gjithë kohë zgjatjes së kësaj krize.

“Përmes Bordit të Transparencës, që përbëhet nga anëtarë të institucioneve të linjës, përfaqësues të biznesit etj., qeveria synon mbrojtjen e qytetarit”, tha ajo.

Balluku informoi se, tregu i lirë është një koncept mbi të cilin Shqipëria ka mbi 30 vite që operon dhe askush nga qeveria nuk beson se duhet kontrolluar, por në kushtet e emergjencës me të cilën po përballemi, detyrimisht edhe për të mbrojtur qytetarët, është krijuar Bordi i Transparencës.

Sipas saj, ky bord mblidhet çdo herë që ka luhatje në bursë dhe cakton çmimin tavan për gazoilin, naftën dhe benzinën, mbi bazën e një metodologjie të mirë përcaktuar nga caktohet ky çmim.

“Është e rëndësishme të kuptohet që ky bord përcakton tavanin e marzhit të fitimit. Bordi bën transparencë mbi çmimin dhe është krijuar vetëm për këtë periudhë krize. Çmimet e publikuara nga bordi janë të detyrueshme për të gjitha subjektet hidrokarbure”, deklaroi ministrja.

Balluku theksoi se, Akti Normativ përcakton monitorimin e tregut dhe inspektorët në terren kujdesen që çmimi të jetë i njëjtë në çdo tabelë të njësive tregtare të karburanteve. Gjithashtu përcakton penalitetet deri në heqje të licensës për subjektet që nuk respektojnë vendimin e Bordit.

Në kuadrin e masave që  ka marrë qeveria për të mbrojtur qytetarin në kushtet e krizës ndërkombëtare, Balluku tha se “qeveria po kompenson çdo litër nafte të transportit publik që të mos rritet bileta”.

“Qeveria ka indeksuar disa muaj më parë pensionet që ishin parashikuar të bëheshin pas 6-mujorit të dytë. Teksa nuk duhet harruar pasi dëgjojmë abuzime të vazhdueshme sa i përket energjisë elektrike, energjia elektrike nuk është rritur asnjë qindarkë”, deklaroi ministrja.

 

Fraksion.com