Celibashi: Reforma zgjedhore të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se është mirë që procesi i reformës zgjedhore të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Komisioneri Celibashi dhe Nënkomisionerja Lealba Pelinku zhvilluan sot një bashkëbisedim me gazetarët për të dhënë disa informacione lidhur me procesin e identifikimit elektronik në zgjedhjet e 6 marsit 2022 dhe në mënyrë të posaçme mbi rezultatin e kryqëzimit të të dhënave daktiloskopike të përfituara nga procesi i identifikimit elektronik.
Nënkomisionerja Lealba Pelinku u shpreh se, “nga gjetjet e kryera falë këtij procesi për zgjedhjet e 6 marsit rezultojnë 47 raste të dyshimta, të cilat janë të ndara në 3 kategori”.
“Rasti i parë ka të bëjë me identitetin e njëjtë në 2 apo më shumë QV të ndryshme. Kjo në fakt lidhet me atë dukuri, ku i njëjti dokument identifikimi është lexuar në 2 QV”, theksoi Pelinku.
“Kategoria e dytë lidhet me shenjën e gishtërinjve dhe rezulton që kemi 2 raste ku e njëjta shenjë gishti dyshohet se është skanuar, është lexuar në 2 QV të ndryshme”, tha Pelinku.
“Rasti tretë lidhet me shenjën e gishtit të skanuar në më shuëm sesa njëherë në të njëjtën QV. Po prapë dukuria është e njëjtë, të njëjtës shenjë gishti i asociohen më tepër sesa 1 dokument identifikimi”, u shpreh Pelinku.
“Kemi 1 shenjë gishti të skanuar 2 herë në 50 QV. pra në 50 QV ka ndodhur kjo dukur. të skanuar 3 herë në 4 QV dhe kështu me radhë”, tha Pelinku.
Ajo theksoi se, “krahasuar me zgjedhjet e vjetshme parlamentare dhe zgjedhjet e sivjetshme të 6 marsit, duhet thënë se qëllimi për të cilin teknologjia u kërkua dhe u implementua mund ta themi me gojën plot që e ka përmbushur. pra qëllimi është përmbushur më së miri”.
Ndërsa Komisioneri Celibashi dha disa të dhëna statistikore në lidhje me zgjedhjet e 6 marsit. Ai u shpreh se, “përqindja e pjesëmarrjes në këto zgjedhje ka qenë rreth 30%. Rreth 197 mijë votues nga rreth 648 mijë zgjedhës të regjistruar në listën e zgjedhësve”
Celibashi tha se, “numrin më të madh të votuesve pra 21% e ka grupmosha 55-64 vjeç. pastaj është grupmosha 45-54 vjeç që ka 18% të totalit të votuesve. Mosha 25-34 vjeç 17% dhe mosha mbi 65 vjeç është tek 19%”.
I pyetur nëse ka marrë përgjigje nga partitë politike pas thirrjes së tij për të nisur reformën zgjedhore, Celibashi u shpreh se nuk ka marrë përgjigje.
Celibashi shtoi se, “nuk ka një reflektim nga ana e partive politike, veçanërisht atyre parlamentare në lidhje me angazhim që ato vetë kanë marrë për të reformuar ligjin zgjedhor. Sa më shumë ditë kalojnë aq më problematike do të bëhet situata dhe nga pikëpamja politike. Këtë mund ta themi me siguri, jemi të gjithë dëshmitarë. Dhe kjo do të reflektojë pastaj edhe në cilësinë e produktit që do të ketë kjo reformë. Dhe njëkohësisht vonesa do të ketë implikime jo pozitive për KQZ-në dhe institucionet që merren me administrimin e procesit zgjedhor”.
Celibashi theksoi se, “procesi është mirë të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse do të vazhdojë të kalojë kjo situatë pa bërë asgjë do të jemi në pozitën kur ndryshimet e minutës së fundit do të jenë objekt i konfliktit politik, por ndërkohë edhe do të krijojnë probleme në aspektin teknik të përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhshme”.
I pyetur nëse e ka përvojën KQZ që projektin e votimit dhe numërimit elektronik ta zbatojë në të gjithë Shqipërinë, Celibashi tha se, “ne i kemi disa gjetje. E kemi krijuar një lloj eksperience. Po nuk mund ta themi me siguri që kjo eksperiencë është e tillë që garanton 100% implementimin me sukses të plotë të votimit elektronik në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Sikurse nuk mund të them se nuk e garanton.
“Nëse partitë politike dhe qeveria e shikojnë me interes apo të mundshme për t’u implementuar sistemi i votimit elektronik në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ky vendim duhet të merret tani, sa më shpejt të jetë e mundur, përndryshe koha që do të ketë në dispozicion KQZ nuk do t’ia lejojë me siguri të plotë e them që ta implementojë në të gjithë territorin e RSH”, tha Celibashi.
Ai shtoi se, “ndoshta hapi dytë mund të mos ishte shtrirja e votimit elektronik në të gjithë territorin e RSH, por të ishe një shtrirje pjesore ndoshta në disa bashki të alternuara, të mëdha dhe të vogla, por jo në të gjithë territorin e RSH. Sepse shoh që koha është duke ikur dhe edhe nëse ne sot do të vendosim për këtë ka një sërë procedurash, të cilat do të duhet t’i paraprijnë implementimit të këtij sistemi dhe koha nuk na e lejon”.
Fraksion.com