Meta në Kalabri: I rëndësishëm nënshkrimi i një protokolli të përbashkët
Presidenti Ilir Meta nisi sot një vizitë zyrtare disaditore në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri.
Ndalesa e parë e Presidentit Meta ishte në Civita, ku u mikprit ngrohtësisht nga dhjetëra qytetarë të këtij vendbanimi arbëresh, nga kryebashkiaku Alessandro Toci, si dhe autoritetet më të larta vendore.
Në takimin e zhvilluar në ambientet e bashkisë së Civita, Presidenti Meta vlerësoi kontributin e arbëreshëve, jo vetëm për pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për atë të Italisë, duke shërbyer si urë lidhëse midis dy vendeve mike.
“Shumë i lumtur të vizitoj këtë qendër të rëndësishme të bashkësive arbëreshe, që frymëzon përherë një frymë të madhe atdhedashurie dhe krenarie për historinë, traditën, kulturën dhe trashëgiminë e popullit shqiptar. Arbëreshëve ju jemi përherë shumë mirënjohës për faktin se e ruajtën me shumë dashuri figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe e kthyen Heroin në pishtarin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke e bërë figurën e bashkimit të gjithë kombit tonë. Sidomos ju jemi falenderues figurave të shquara të letërsisë sonë: Jeronim De Rada, Gavril Dara dhe Zef Serembe, personaliteteve historike si Antonio Gramshi, Kryeministri Crispi e shumë figurave të tjera të shquara arbëreshe dhe vlerësojmë kontributin e arbëreshëve, jo vetëm për pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për atë të Italisë, duke shërbyer si urë lidhëse midis dy vendeve mike”, nënvizoi Presidenti.
Meta theksoi rëndësinë e më shumë nismave konkrete për mbrojtjen e minoritetit arbëresh.
“Në gati 6 shekuj, falë arbëreshëve kemi ende fjalët: ‘arbër’, ‘arbëresh’, ‘Arbëri’ dhe ‘Albani’ dhe ne krenohemi me përkushtimin tuaj për ta ruajtur të gjallë gjuhën, kulturën, traditën dhe ritet arbëreshe. Por aktualisht po përballemi me disa sfida, si fenomeni i humbjes së gjuhës së folur arbëreshe, veçanërisht në brezat e rinj, që po shpërngulen nga trevat arbëreshe. Duhen ndërmarrë sa më shumë nisma konkrete për mbrojtjen e minoritetit arbëresh, duke shtuar kontributin tonë në regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe, Moti i Madh, në UNESCO, dhe duke ngritur një Instituti të Kulturës Shqiptare në Romë. Komuniteti arbëresh, të cilit Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen për hedhjen e themeleve të Lëvizjes Kombëtare, është projektimi ynë i përbashkët, i shkëlqyer, në Evropën e Bashkuar. Ata mbeten modeli ekselent i të qenit pjesë përbërëse e së tërës të bashkuar, duke ruajtur dhe trashëguar karakteristika të identitetit të origjinës historike”, tha Presidenti.
Ai theksoi edhe rëndësinë e nënshkrimit të një protokolli të përbashkët mes Shqipërisë dhe Rajonit të Kalabrisë.
“Është i rëndësishëm nënshkrimi i një protokolli të përbashkët mes Shqipërisë dhe rajonit Kalabri, sipas atij ekzistues me rajonin e Puljas, dhe atë të propozuar me Rajonin e Sicilisë. Përfshirja e Kalabrisë së bashku me Bazilikatën (edhe kjo me vendbanime e popullsi arbëreshe) në strukturën e makrorajonit Adriatiko-Jonian, ku bëjnë pjesë edhe rajonet e Puljas dhe Molizes, përveç përfitimeve zhvilluese dhe ekonomike, do të shërbente si një instrument ndërlidhës nga pikëpamja kulturore edhe arbëreshët e Kalabrisë dhe të Basilicatas me arvanitasit, pasi edhe Kroacia është pjesë e makrorajonit. Moti i Madh, propozuar në listën e trashëgimisë së UNESCO-s, ka mbështetjen e plotë të autoriteteve shqiptare”, theksoi kreu i shtetit shqiptar.
Presidenti Meta nderoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” shkrimtarin dhe publicistin e spikatur arbëresh, profesorin Vincenzo Bruno: “Me vlerësim të lartë për kontributin e çmuar në fushën e gjuhësisë e letërsisë, nëpërmjet krijimtarisë së vyer me publikime të pasura në gjinitë e teatrit, poezisë, romaneve e gazetarisë, si dhe në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. Me mirënjohje të veçantë për promovimin me pasion të ‘çështjes arbëreshe’, nëpërmjet shkrimeve arbërisht-italisht, duke i shërbyer kultivimit dhe në të mirë të vazhdimësisë të ruajtjes së saj.”
Profesori arbëresh Vincenzo Bruno i ka kushtuar një jetë të tërë mësimdhënies, përgatitjes së brezit të ri, dhe dallohet në fushën e botimeve gjuhësore e folklorike.
Ai është një zë i rëndësishëm për botën arbëreshe dhe ka kryer shumë shkrime mbi realitetin kulturor e gjuhësor historik të arbëreshëve të Italisë.
Profesor Bruno është një kontribues shumë i çmuar për revistën “Katundi ynë”, e themeluar që në vitin 1970 dhe njëkohësisht ka drejtuar me sukses Muzeun Etnik Arbëresh në Civita.
Si autor i shumë librave, tregimeve dhe komedive të gjuhës dhe kulturës arbëreshe, ai ka paraqitur gjithmonë tekste origjinale në gjuhën arbëreshe, shumë prej të cilave të vëna në skenën e teatrit, gjatë kohës së mësimdhënies në kolegjet italiane.
Në vlerësim të gjithë kontributit të çmuar dhënë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe dhe me mirënjohje për promovimin e çështjes arbëreshe, vlerësoj sot profesorin Vincenzo Bruno, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Fraksion.com