AktualitetPolitikëTë fundit

Konventa e LSI për rikthimin e Metës? Braimllari: E ka dorëzuar teserën e partisë kur u zgjodh President!

25 korrikun, kur do të mbahet Konventa e LSI, sekretari i përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari e ka konsideruar si ditën kur do të ketë një bashkim të një aksioni opozitar ‘që do të jetë i jashtëzakonshëm’.

I ftuar në ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, Braimllari megjithatë nuk sqaroi nëse 25 korriku do të jetë edhe dita që do të rikthejë Ilir Metën në krye të LSI-së. Ai u shpreh se Meta e ka dorëzuar teserën e partisë pasi u zgjodh President, por shtoi se qëllimet e tij, për të qenë në krye të një aksioni opozitar, ai i ka bërë tashmë publike.

“Nuk marr përsipër të flas për Metën, ai është president deri më 24 korrik. Ai ka thënë se do ketë një aksion të tij në opozitë. Ai e ka dorëzuar teserën e partisë kur u zgjodh president. Meta ka një rol të jashtëzakonshëm në LSI, hapësira për t’u përfshirë të gjithë është e jashtëzakonshme. 25 korriku është një datë bashkimi i një aksioni opozite që do të jetë i jashtëzakonshëm”, tha ai.

Braimllari shtoi po ashtu se në Konventë do të zgjidhen edhe strukturat e reja drejtuese të LSI dhe se do të ketë një konsolidim dhe qartësim të opozitës dhe aksionit opozitar. Pa hezitim, ai ka pranuar se LSI do të bashkëpunojë me Sali Berishën, teksa theksoi se zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit treguan se cila ishte opozita e vërtetë dhe cila false.

“Ka të bëjë me çështje organizative dhe politike të LSI për të vazhduar më tej. Nuk duhet parë thjeshtë si konventë ku do zgjidhen strukturat e saj drejtuese, por do ketë një qartësim apo formësim të aksionit opozitar. Sot është e rëndësishme konsolidimi i opozitës, për të bërë bashkë zërat që kërkojnë që vendi të ketë opozitë të vërtetë jo fasadë si ajo e Bashës. Do të zgjidhen edhe strukturat e reja të LSI. 25 korriku është mundësi shumë e mirë për të filluar opozitë frontale. Zgjedhjet lokale ndan njëherë e mirë opozitën reale nga ajo false. 6 marsi sqaroi se cila është opozita e vërtetë. Efektin bashkëpunimi e kishte të jashtëzakonshëm, pro ka ende punë për t’u bërë që të kemi unifikim tërësor të opozitës, për t’u përballur me regjimin. Nëse bashkohen të gjithë faktorët opozitar”, deklaroi ai.

Një ditë pasi Ilir Meta do të lërë presidencën, Lëvizja Socialiste për Integrim ka thirrur Konventën Kombëtare, pikërisht më datë 25 korrik, ku do të kryhet një riorganizim i të gjithë strukturave për zgjedhjet vendore të 2023. Ilir Meta ka paralajmëruar se do të rikthehet fuqishëm në politikën aktive, ndërsa gjasat janë që ai të rikthehet në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që e themeloi në shtator të 2004-s, për t’ia lënë më tej bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, kur u ë president.

 

Fraksion.com