AktualitetBota+Të fundit

Kanë ndjekur të njëjtën shkollë në SHBA; 100 persona me kancer të rrallë kërkojnë përgjigje për shkakun…

Një burrë i vetëm nga New Jersey ka zbuluar një mister mjekësor, që me sa duket lidh fatin e 100 njerëzve të diagnostikuar me kancer të rrallë, që kanë mësuar në të njëjtën shkollë të mesme në Woodbridge. Në vitin 1999, kur ai ishte vetëm 27 vjeç, Al Lupiano u diagnostikua me një tumor shumë të rrallë dhe anormalisht të madh të trurit për dikë në moshën e tij, të quajtur “Neuroma Akustike” (AN).

Verën e kaluar, gruaja dhe motra, tashmë të ndjera të Lupianos, u diagnostikuan me forma të rralla të kancerit të trurit në të njëjtën ditë. Gruaja e tij u diagnostikua në mënyrë të ngjashme me një tumor anormalisht të madh AN dhe motra e tij u diagnostikua me “Glioblastoma Multiforme” (GBM), e cila ka një shkallë incidence prej 30 në çdo 1 milion njerëz. Diçka të tillë e shpjegoi Lupiano në një postim në Facebook:

“Neurologu i tyre, i cili është njohur si një lider global në neurokirurgji nga Federata Botërore e Shoqatave Neurologjike, ka trajtuar dhe është përfshirë në dhjetëra-mijëra tumore të trurit në karrierën e tij. Është besimi i tij që unë dhe gruaja ime mund të jemi të parët. Rasti i dokumentuar i bashkëshortëve që kanë një AN, të dy afërsisht të njëjtën madhësi dhe në të njëjtën anë të kokës, sipas tij, shanset janë ndoshta 1 në një milliard.

Të thuash se ai ishte i shqetësuar kur zbuloi se të tre jemi rritur në të njëjtën lagje është nënvlerësim. Pse? Ekziston një shkak i mirë i dokumentuar i tumoreve të trurit, ekspozimi ndaj rrezatimit”.

Lupiano përfundimisht arriti në një faktor të vetëm lidhës midis tij, gruas dhe motrës: secili ndoqi shkollën e mesme “Colonia” në Woodbridge, në vitet 1990. Lupiano fillimisht nuk ishte i sigurt se shkolla e mesme ishte një lidhje me rastet e ngjashme, por të rralla të kancerit të trurit, derisa bëri një kërkesë në Facebook që të tjerët që ndoqën “Colonia” të kontaktonin personalisht me të.

Deri më 11 prill, ai kishte dëgjuar nga më shumë se 100 ish-nxënës të shkollës së mesme “Colonia” se ishin diagnostikuar me kancerin e rrallë. “Deri mesnatën e së dielës, unë regjistrova rastin e 100-të të dikujt që kishte një tumor primar të trurit, – tha Luapiano në një përditësim të postimit në Facebook.

– Kurrë, edhe në makthin tim më të keq, nuk e kam imagjinuar ndonjëherë ta arrija këtë moment historik. Janë 100 njerëz me jetën e tyre të ndryshuar përgjithmonë. 100 familjeve duhet t’iu thuhet lajmi i tmerrshëm. 100 histori tronditjeje dhe mosbesimi me diagnozën. Lutem që të gjejmë përgjigje për shkakun…”

Në një përditësim të mëparshëm, Lupiano tha se shumë nga ata që e kontaktuan për rastet e tyre të kancerit të trurit janë ish-mësues dhe ish-nxënës të shkollës në Colonia. Lupiano është një shkencëtar mjedisor, i cili testoi mostrat e tokës për toksina gjatë karrierës së tij dhe sugjeroi se terreni i shkollës mund të ishte i kontaminuar, sipas “NJ Spotlight News”.

Kryetari i bashkisë së Woodbridge, John McCormack i tha gazetës se zyra e tij nisi biseda me Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Agjencinë për Regjistrin e Sëmundjeve të Substancave Toksike mbi hapjen e hetimeve për ekspozimin e mundshëm ndaj rrezatimit që rrjedh nga kampusi i shkollës së mesme. McCormack tha se qyteti dëshiron përfshirje lokale dhe federale në hetim.

Lupiano sugjeroi gjithashtu një lidhje të mundshme midis shkollës së mesme “Colonia” dhe një fabrike kampionimi në Middlesex, New Jersey, në intervistën e tij me “NJ Spotlight”. Fabrika e kampionimit të Middlesex, e cila që atëherë është mbyllur, ndodhet në një sipërfaqe 9.6 hektarësh, rreth 30 minuta me makinë nga Colonia.

Kjo fabrikë ishte një pikë hyrjeje për mineralet e uraniumit afrikan, që u importuan për t’u përdorur në programin e hershëm të energjisë atomike të vendit. Ato u analizuan në fabrikën e mostrave të Middlesex dhe më pas u dërguan në vende të tjera për përpunim, sipas Ushtrisë Amerikane. Fabrika mori minerale uraniumi, toriumi dhe beriliumi midis viteve 1940 dhe 1967, që korespondon me të njëjtin vit që u ndërtua Shkolla e Mesme e Colonia./noa.al

 

Fraksion.com