AktualitetBota+Të fundit

Njeriu më i pasur i Ukrainës që premton të rindërtojë Mariupolin

Njeriu më i pasur i Ukrainës është zotuar të ndihmojë në rindërtimin e qytetit të rrethuar të Mariupolit, një vend që e ka përzemër, ku ai zotëron dy fabrika të mëdha çeliku që thotë se do të konkurrojnë sërish globalisht.

Rinat Akhmetov ka parë perandorinë e tij të biznesit t’i shkatërrohet nga tetë vite luftime në lindje të Ukrainës, por mbetet sfidues dhe i sigurt se ata që ai i quan “ushtarët tanë të guximshëm”, do të mbrojnë qytetin që shtrihet në brigjet e Detit Azov, të reduktuar tashmë në një shkretëtirë, nga shtatë javë bombardime.

Për momentin, kompania e tij Metinvest, prodhuesi më i madh i çelikut në Ukrainë, ka njoftuar se nuk mund të përmbushë detyrimet bazuar në kontratat e furnizimit.

Mariupol është një tragjedi globale dhe një shembull global i heroizmit. Për mua, Mariupoli ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një qytet ukrainas“, tha zoti Akhmetov në përgjigjen me shkrim të pyetjeve të drejtuara nga agjencia “Reuters”.

Unë besoj se ushtarët tanë të guximshëm do ta mbrojnë qytetin, megjithëse e kuptoj se sa e vështirë është për ta” tha ai, duke shtuar se ishte në kontakt të përditshëm me menaxherët e Metinvest që drejtojnë fabrikat Azovstal dhe Illich Iron&Steel Works në Mariupol.

Të premten, Metinvest tha se nuk do të operonte nën pushtimin rus dhe se rrethimi i Mariupolit kishte çaktivizuar më shumë se një të tretën e kapacitetit të prodhimit të metalurgjisë në Ukrainë.

Zoti Akhmetov vlerësoi “pasionin dhe profesionalizmin” e Presidentit Volodymyr Zelenskiy gjatë luftës, çka në dukje u pa si një zbutje e marrëdhënieve mes tyre pasi udhëheqësi ukrainas vitin e kaluar tha se komplotistët që shpresonin të rrëzonin qeverinë e tij ishin përpjekur ta përfshinin edhe vetë biznesmenin.

Në atë kohë zoti Akhmetov e quajti akuzën “totalisht një gënjeshtër”.

Lufta sigurisht nuk është një periudhë për mosmarrëveshje… Ne do ta rindërtojmë të gjithë Ukrainën“, tha ai, duke shtuar se ishte kthyer në Ukrainë më 23 shkurt dhe që nga ai moment nuk ishte larguar më.

 

Fraksion.com