AktualitetBota+Të fundit

BE-ja rrit ndihmën humanitare me 50 milionë euro shtesë për Ukrainën

BE-ja po cakton 50 milionë euro të tjera në fonde humanitare për të mbështetur njerëzit e prekur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë 45 milionë euro për projektet humanitare në Ukrainë dhe 5 milionë euro për Moldavinë.

Kjo e çon fondin total të ndihmës humanitare të BE-së në përgjigje të luftës në 143 milionë euro. Financimi i alokuar është pjesë e paketës së mbështetjes prej 1 miliardë eurosh të zotuar nga Komisioni Evropian në ngjarjen globale të premtimeve “Stand Up For Ukraine” që u zhvillua më 9 prill.

Ky financim i ri do të adresojë nevojat më urgjente humanitare duke ofruar shërbime mjekësore emergjente, akses në ujë të pijshëm dhe higjienë të sigurt, strehim dhe mbrojtje, ndihmë në para dhe mbështetje kundër dhunës me bazë gjinore.

Sipas Komisionerit Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, këto 50 milionë euro shtesë do të ndihmojnë njerëzit në zonat e vështira për t’u arritur, të cilëve u është ndërprerë aksesi në kujdesin shëndetësor, uji dhe energjia elektrike, dhe ata që janë detyruar të largohen nga vendi.

“Me miliona njerëz në lëvizje ose të bllokuar në zonat aktive të luftës, nevojat në Ukrainë janë tashmë masive. Tani, ne duhet të jemi të përgatitur për një rritje të mëtejshme të sulmeve të pamëshirshme të Rusisë ndaj Ukrainës, veçanërisht në lindje”, tha Lenarčič.

 

Fraksion.com