Rama: “South Outdoor Festival”, muzikë e të ftuar në vigjilje të një sezoni turistik masiv
“South Outdoor Festival”, që do të zhvillohet nga 29 prilli deri në 5 maj në rivierën e bukur shqiptare, ka për qëllim promovimin e turizmit të qëndrueshëm gjithëvjetor në fshatrat e bregdetit jonian, si një kombinim i turizmit të detit me atë të traditës e aventurës.
Kryeministri Edi Rama tha se ky aktivitet vjen në vigjilje të çeljes së këtij sezoni turistik i cili do të jetë më i pastër, më i sigurt e më masiv.
“Mirëmëngjes dhe me “South Outdoor Festival”, që në 29 prill vjen në Shqipëri me 5 ditë plot aventura, muzikë e të ftuar, në vigjilje të çeljes së këtij sezoni turistik i cili do të jetë më i pastër, më i sigurtë e më masiv, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Turistët vendas dhe të huaj si dhe të rinjtë do mund të shijojnë në këtë festival aktivitete sportive në natyrë, lojëra, argëtime por edhe ture kulturore e mbrëmje festive, të gjitha këto nën shijen e kuzhinës tradicionale dhe pamjeve magjepsëse të Jugut.
Përgjatë 5 netëve të festivalit, do të performojnë këngëtarë dhe grupe të njohur shqiptarë dhe të huaj si: Feddle Le Grand, Kadebostany, Eiffel 65, Elvana Gjata, Elita 5, Eugent Bushpepa, Madman’s Choice, Offchestra, Gipsy Grove, Sardi Strugaj, Kullua, Mixed Up Everthing, Urban Band, Abelomania, Mickey, Goce, Aldo Boocky Elio Lleshi, Equinoxx, Liburn, etj.
Ky është edicioni i pestë i këtij festivali që zhvillohet në vendin tonë dhe tashmë është kthyer në traditë.
Borshi është një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipërisë së Jugut dhe është shumë i njohur për fushat e ullishteve, prodhimin e vajit të ullirit si dhe për plazhin e gjerë (7 km të gjatë) të krijuar nga delta e lumit. Ai karakterizohet nga një diversitet i jashtëzakonshëm gjeologjik, një përzierje e detit, maleve dhe burimeve të mahnitshme natyrore, si dhe një trashëgimi e pasur kulturore, traditë dhe kuzhinë të shijshme që e bën atë ideal për të gjitha llojet e aktiviteteve në natyrë dhe një destinacion perfekt turistik.
Fraksion.com