AktualitetPolitikëTë fundit

Aliyev: Shqipëri-Azerbajxhan, potencial për rritje të bashkëpunimit në sektorin energjetik

Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev deklaroi sot në takimin me Kryeministrin Edi Rama në Baku, se ka potencial për rritje të bashkëpunimit në sektorin energjetik mes dy vendeve.

Aliyev u shpreh se vizita e kreut të qeverisë shqiptare “dëshmon edhe një herë nivelin e lartë të dialogut politik midis dy vendeve tona”.

“Ne jemi takuar shumë herë. Po kështu kemi komunikuar përmes telefonit. Dhe po kështu edhe gjatë aktiviteteve ndërkombëtare kemi shfrytëzuar mundësinë për t’u takuar me njëri-tjetrin”, tha Aliyev.

“Natyrisht jemi këtu për të zhvilluar takime dypalëshe për të diskutuar gjithashtu edhe çështje të zhvillimit rajonal, të cilat janë në krye të axhendës së Evropës. Po kështu do të flasim dhe për çështje dypalëshe, ku do të shkëmbejmë informacione dhe do të flasim për rritjen e qarkullimit tonë tregtar, që është mjaft modest, por ka potencial për t’u rritur. Do ta diskutojmë këtë sot”, tha ai.

“Dhe po kështu do të diskutojmë sigurisht bashkëpunimin në sektorin e energjisë. Qysh prej më shumë një viti Azerbajxhani është bërë eksportues i gazit natyror drejt Evropës dhe Shqipëria ka qenë mbështetëse e kësaj nisme dhe përfaqësuesit tuaj të nivelit të lartë kanë marrë pjesë gjithmonë në takimet e Këshillit Konsultativ të Korridorit Jugor dhe kanë kontribuar për zbatimin e këtij projekti. Kështu që jemi në një ekip vendesh, të cilat kanë zbatuar me sukses këtë projekt historik, duke pasur parasysh rëndësinë e korridorit jugor të gazit, sidomos të gazsjellësit Transatlantik. Unë mendoj që tashmë kjo është më e dukshme sesa më parë”, u shpreh Aliyev.

“Ky është një sektor shumë i mirë i bashkëpunimit tonë që ka potencial të madh për t’u rritur. Përfaqësuesit tanë po zhvillojnë takime mbi portofolin më të gjerë të bashkëpunimit tonë në fushën e energjetikës, që përfshin gazin natyror, furnizimet tranzite dhe energjinë elektrike. Është vërtetë një pjesë mjaft e madhe e agjendës tonë dypalëshe”, theksoi Aliyev.

“Jam i sigurt që ajo çka është tashmë në proces bisedimesh do të sjellë si rezultat zhvillime të reja. Po kështu mendoj që ka një shans të mirë për të folur për të tjera fusha të ndërsjella”, shtoi Aliyev.

“Mundësitë në fushën e turizmit dhe t’u ofrojmë qytetarëve tanë mundësi të ndryshme turistike. Dhe përgjithësisht një partneritet më të gjerë për t’i dhënë një nxitje të mëtejshme dhe për të patuar rezultate të mira në të ardhmen”, përfundoi Aliyev.

 

Fraksion.com