“Paralajmëron rrezikun rus në Ballkanin Perëndimor”; Romeo Fran – një sinti gjerman lufton për më tepër drejtësi në politikë
Romeo Franz, eurodeputet i të Gjelbërve, është i ngarkuari për marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Në momentet e luftës në Ukrainë ai paralajmëron nga rreziku i ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Që prej vitit 2018 gjermani Romeo Franz me origjinë sinti përfaqëson të Gjelbrit në Parlamentin e BE. Si kryetar i delegacionit për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën ai e ka shumë për zemër Ballkanin Perëndimor. Lufta në Ukrainë, thotë politikani, nuk e ka spostuar vemendjen nga Ballkani Perëndimor. Përkundrazi: Rusia e Putinit ka një interes të madh për konflikte të mëtejshme, trazira dhe dobësimin e Evropës.
Në radhë të parë Bosnjë-Hercegovina ofron potencial për këtë: “Pas sulmit ndaj Ukrainës është e qartë se Putini dëshiron të krijojë një rend sigurie në Evropë, që i përshtatet atij. Ai është një mbështetës i madh i politikës së shkëputjes së serbëve nën Milorad Dodikun.”
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës ka kërcënuar vazhdimisht se do ta shkëpuste pjesën e Bosnjë-Hercegovinës të dominuar nga serbët nga shteti qendror. Dodik ka mbështetjen e hapur të Rusisë për planet e tij.
Nga aktiviteti për të drejtat civile në politikë
Për çështje të tilla komplekse politike Romeo Franz mund të mbështetet në përvojën e tij shumëvjeçare si aktivist për të drejtat civile. Perspektivat evropiane dhe ndërkombëtare e kanë zgjeruar këndvështrimin e tij për shumë tema, thotë politikani.Ai kujton me shumë dëshirë një vizitë në Uashington, ku mbajti një fjalim para studentëve me ngjyrë. Në komunikimin me ta atij iu bë e qartë, se grupet e diskriminuara janë të lidhura me njëra-tjetrën përmes përjetimeve të ngjashme të racizmit: “Nevojitet një aleancë e të diskriminuarve. Kjo nuk nënkupton harresën e formave të veçanta të racizmit dhe diskriminimit, përkundrazi nënkupton që përmes koncentratit ekzsistues të përvojave të grupeve të ndryshme të nxirren në qasjet sistemike, që fshihen pas tyre.”
Shumëkush u surprizua nga vendimi i tij për t’u futur në politikë para disa vitesh. Ai vetë thotë se e kishte menduar prej kohësh këtë, por jeta i kishte rezervuar detyra të tjera deri atëherë: Në vitin 2012 ai themeloi Fondacionin Hildegard Lagrenne, që lufton kundër anticiganizmit në arsimim. Duke qenë trajner i argumentimit, ai dekonspironte parullat e djathta në shkolla dhe institucione arsimore.
Romeo Franz ka lënë gjurmë edhe si muzikant: Pjesa e tij për violinë “Mare Manuschenge” (për popullin tonë) është pjesa që dëgjohet në memorialin e Berlinit për sintët dhe romët e Evropës, të cilët u vranë gjatë nacionalsocializmit. Ai thotë se ky ka qenë një nder, por dhe një përgjegjësi e madhe për të. Ai donte që ndikimi i traditës muzikore të sintëve dhe romëve të ishte i dallueshëm që në notën e parë.
Ruajtja e artit dhe kulturës së sintëve dhe romëve është për Romeo Franz edhe si politikan një temë e rëndësishme. Për të siguruar mbrojtjen e këtyre pasurive kulturore në të ardhmen, politikës i nevojiten më shumë të rinj nga komuniteti: “Dëshiroj që të rinjtë tanë ta dinë, se puna politike ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tonë të përditshme dhe në përcaktimin bashkarisht, se cilat vlera janë të rëndësishme dhe të drejta. Në politikë ne jo vetëm mund të kërkojmë pjesëmarrje të barabartë, por edhe të marrim me të vërtetë përgjegjësinë”.
Lufta kundër paragjykimeve
Eurodeputeti qesh sot me vështrimet e habitura të kolegëve të tij, kur mbërriti para Parlamentit të BE-së për herë të parë me kamperin e tij. Madje disa e pyetën, nëse nuk ishte duke riprodhuar klishe, por ai e mohon këtë duke buzëqeshur: “Nuk ka arsye që unë të mohoj kulturën time. Ky do të ishte një kapitullim ndaj mendimeve të të tjerëve dhe kjo nuk shtrohet për diskutim për mua.”
Edhe gjatë angazhimit të tij në strategjinë evropiane për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve në Evropë, Romeo Franz vendos në qendër të vemendjes luftën kundër paragjykimeve. Ai kërkon një bazë ligjore për pjesëmarrje të barabartë të komuniteteve rome të Evropës: “Nuk do të ketë përparim, përderisa udhëzimet e BE të jenë vullnetare. Ne duam diçka të prekshme, sepse vetëm ajo që është e përcaktuar në ligj, ka peshë edhe në jetën reale.”
Por kur bie fjala për ligjet, Komisioni i BE-së është shumë i kujdesshëm, kritikon eurodeputeti. Në njërën anë përfshirja e komuniteteve në një proces të tillë është e ndërlikuar, nga ana tjetër qasje të tilla mund të nxisin pakënaqësinë e forcave të djathta dhe konservatore.
Ndikimi i politikës evropiane ndaj romëve po bëhet më i dukshëm edhe në Gjermani. Mehmet Daimaguler është i ngarkuari i parë për anticiganizmin në vend. Ky funksion i ri në nivel kombëtar është i rëndësishëm, për të zbatuar me efektivitet planet e qeverisë gjermane në kuadër të strategjisë për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e sintive dhe romëve, shpjegon Romeo Franz: “Është një e vërtetë e trishtuar që anticiganizmi vazhdon të jetë pjesë e kulturës së përditshme në Gjermani, me gjithë trashëgiminë e rëndë të gjenocidit ndaj sinti dhe romëve. Mehmet Daimaguler sjell ekspertizën e nevojshme dhe përvojën politike për t`i dhënë vend të dukshëm kësaj teme.”/DW
Fraksion.com