AktualitetPolitikëTë fundit

Ministrja e Jashtme gjermane: BE të fillojë negociatat me Tiranën dhe Shkupin deri në qershor

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në BE në gjysmën e parë të vitit 2022, deklaroi ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock.

“Vende si Ukraina, si edhe shtetet e tjera, prej kohësh e shohin të ardhmen e tyre në BE. Jo vetëm se nuk duhet t’i dëshpërojmë këto vende, por edhe duhet ta mbajmë premtimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo vlen edhe për disa vende të Ballkanit Perëndimor, para së gjithash për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe pikërisht tani në gjysmën e parë të vitit duhet që përfundimisht t’i fillojmë negociatat me Tiranën dhe Shkupin”, tha Baerbock pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg.

Sipas saj, hapja e negociatave me të dyja vendet prej kohësh është një hap i vonuar.

Baerbock theksoi se ka pasur biseduar me ministren bullgare të Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska, me të cilën kanë rënë dakord se në situatën aktuale është e rëndësishme të fillojnë negociatat për hyrjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Ajo i dërgoi mesazh edhe autoriteteve serbe se duhet t’i mbështesin politikat e BE-së duke i përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë, nëse Beogradi dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

“E njëjta vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat këto javë e bënë të qartë se shumica prej tyre të ardhmen dhe sigurinë e tyre e shohin në BE. Prandaj ata i mbështesin sanksionet evropiane. Nëse dikush pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, diçka që edhe Serbia e dëshiron, atëherë mbështetja për politikën e jashtme të BE-së dhe mbështetja për sanksionet është shumë e rëndësishme”, tha Baerbock.

 

Fraksion.com