AktualitetRajoniTë fundit

“Gropën ma bëri Soros”; Reagon Gruevski për ‘listën e zezë’ të SHBA-së për korrupsionin

Ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, me anë të një statusi në profilin e tij të Facebook reagoi ndaj vendosjes në Listën e Zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për korrupsion.

Gruevski pretendon se i është bërë një padrejtësi e madhe. “Ajo që u publikua sot është folur prej kohësh. Zyrtarët e lartë në Maqedoni nuk fshihnin në qarqe joformale se kishin vite që lobonin që të ndodhte e njëjta gjë.

Përpjekjet e mia shumëvjeçare për ta zgjidhur çështjen e emrit në një mënyrë të ndryshme nga ajo që u zgjidh përfundimisht, vendimet që lidhen me krizën e emigrantëve dhe mbylljen e korridorit ballkanik në vitin 2016 dhe disa vendime të tjera për të mbrojtur shtetin,  interesat kombëtare,  interesat e Maqedonisë ka acaruar disa vende dhe ka tërhequr shumë kundërshtarë, si George Soros, i cili bëri shumë përpjekje dhe fonde për të rrëzuar qeverinë që unë drejtova.  Më vjen keq për vendimin e DASH që ndër të tjerë, më referohet dhe mua. Akuzat për të cilat unë jam në listë janë informacione të pasakta ndaj të cilave ata janë dorëzuar dhe kryesisht rrjedhin nga përndjekja e gjatë politike kundër meje në Maqedoni. Nga ky aspekt, edhe pse nuk kam asnjë pronë në SHBA, ndjej një padrejtësi të madhe, sepse kam punuar me shumë ndershmëri dhe me shumë përgjegjësi, duke luftuar për interesat shtetërore dhe kombëtare dhe jam përpjekur me aq sa kam mundur të mos i rrezikoj interesat e aleatëve të Maqedonisë, unë kurrë nuk kam punuar për përfitime personale financiare apo materiale”, tha Gruevski.

Po përmes FB, reagoi dhe Sasho Mijallkov. “Më vjen keq për vendimin e DASH dhe mendoj se nuk është i drejtë. Ai bazohet në dezinformata që me kalimin e kohës do të rezultojnë të paqëndrueshme. Unë gjithmonë i kam mbrojtur dhe do t’i mbroj interesat e Maqedonisë. Besoj se drejtësia do të fitojë dhe vendimi i administratës amerikane do të korrigjohet”, ka shkruar ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut.

 

Fraksion.com