Tabaku për Kongresin e PS-së: Mazhoranca ofroi spektaklin e propagandës
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se teksa qytetarët po përjetojnë një rritje të menjëhershme të çmimeve të ushqimeve, mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama e përqendruan të gjithë vëmendjen e tyre tek Kongresi të cilin ajo e cilësoi “spektakël propagande”.
“Në mes të një krize tejet të rëndë për xhepat e qytetarëve, Rama dhe mazhoranca u angazhuan në një kongres që ofroi spektaklin e propagandës për qytetarët”, tha Tabaku.
Sipas saj, “mbi 42% e të ardhurave mesatare të një familje në Shqipëri shkojnë për të blerë produktet ushqimore bazë që është rritur. Vetëm buka është rritur me 16% në raport me një vit më parë, vezët janë shtrenjtuar me 10%, gjalpi është shtrenjtuar minimalisht me 20% njësoj si çdo nënprodukt tjetër i qumështit”.
“Në një krizë të tillë ku inflacioni shkoi në 5.7%, aq sa çfarë kishte paralajmëruar edhe opozita javë më parë, qeveria vazhdon të kënaqet me thërrimet e ndihmës që ka dhënë për shqiptarët. ndërkohë që vendet në zhvillim kanë nisur një plan masash për të lehtësuar politikat tatimore dhe jo vetëm, qeveria vazhdon të mbushë televizionet me propagandë njësoj si në Venezuelë. Rritja e çmimeve për ushqimet dhe pijet jo alkoolike është 9.3% nga viti në vit. Ndërkohë që rrogat dhe pensionet janë po në vend numëro. Duket se strategjia e qeverisë për të ndihmuar qytetarët është ajo e mbushjes së portofolave të tyre me gënjeshtra dhe alibi justifikuese”, theksoi ajo, teksa vuri në dukje se, “e gjithë kjo situatë do rëndohet edhe më shumë në xhepat e secilit qytetar. Shumë shpejt do të paguajmë më shtrenjtë borxhin publik që qeveria ka marrë për luksin dhe për PPP-të nga rroga e qytetarëve”.
Tabaku tha se, papunësia do të rritet ndërsa vendi do të bie në një stagflacion që është përherë edhe më evident për këdo.
“Po jetojmë në kohë të një krize të thellë ekonomike dhe inflacioniste që do të fshijë të ardhurat e pakta edhe kursimet e pakta që janë mbledhur. Qeveria vazhdon të bëj sehir dhe të shesë propagandë nga sallat luksoze duke u krenuar për suksese imagjinare ndërsa shqiptari varfërohet. Paguajmë ende sot 90 mijë euro në ditë koncesionin e inceneratorëve ndërsa 1/3 e popullsisë jeton me më pak se 5 USD në ditë”, deklaroi Tabaku.
Bozdo: PS, gjithnjë e më e korruptuar pas 9 vitesh në pushtet
Eno Bozdo, mbështetës i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, u shpreh se “dje në Kongresin e PS kemi parë po të njëjtin spektakël nga Edi Rama, spektakël që jemi mësuar ta shohim në ngjarje të tilla, por me një ndryshim: doza e gënjeshtrës dhe e frikës ishte rritur ndjeshëm”.
“Gënjeshtër sepse spektakli i djeshëm i Ramës jo vetëm vizaton një Shqipëri që nuk ekziston, por edhe e bën këtë me një harbutëri dhe arrogancë të paimagjinueshme”, tha Bozdo, teksa vuri në dukje se, “kjo u pasqyruar gjatë të gjithë “one man show”, veçanërisht kur lideri global luante Zeusin mbi palët, dhe distancohej nga të “metat” e qeverisjes së tij, kur fliste për peshën e rëndë të qeverisjes dhe reformat që po “tjetërsonin” Shqipërinë, kur shfaqej si kampion kundër korrupsionit duke u treguar ministrave dyert e SPAK, kur foli për rininë, fermerët, rininë, gruan me terma të një planeti tjetër”.
“Nga ana tjetër, agresiviteti i pashpjegueshëm dhe i pavend ndaj.opozitës, e sidomos kur ajo është “joekzistente” sipas vetë Ramës, ishte veç një tregues mbi frikën e tij për rikthimin e opozitës”, vijoi ai.
Bozdo theksoi se, “pavarësisht çfarë Rama demostroi, në thelb ishte po e PS, gjithnjë e më e korruptuar pas 9 vitesh në pushtet, gjithnjë e më e paaftë të reagojë ndaj të keqes së brendshme që po e kthen në organizatë hajdutësh dhe zhbërësish të institucioneve, përgjegjëse për largimin e shqiptarëve, të rinisë veçanërisht, përgjegjëse për mjerimin e fermerëve, për krimin që kontrollon ekonominë, për korrupsionin kaq të thellë saqë ka asfiksuar shoqërinë, për arsimimin që nuk i hyn më në punë askujt, për klimën e kotësisë dhe mungesës totale të vlerave shoqërore”.
“Ai grup njerëzish aty që duartrokitën Zeusin, së bashku me Zeusin, janë përgjegjës për depresionin më të madh shoqëror të Shqipërisë në shekullin e fundit. Dhe nuk ka asnjë të vërtetë tjetër veç kësaj”, tha Bozdo, teksa theksoi se “sa për opozitën, siç edhe e cilësova më sipër, mjafton frika dhe frymëmarrja e rënduar e Ramës për të kuptuar se është, më në fund, në rrugë të mbarë”.
Fraksion.com