AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ndahemi nga Maqedonia e Veriut nëse në qershor nuk hapen negociatat për shkak të Bullgarisë

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot “gatishmërinë jashtëzakonisht inkurajuese të Kancelarit dhe të Gjermanisë, për të shtyrë me më shumë vendosmëri përpara procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga përmbushja e një faze të procesit për sa i takon Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që shpresojmë të ndodhi në Këshillin e ardhshëm të muajit qershor”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin me kancelarin Federal të Gjermanisë, Olaf Scholz, Rama shtoi se “ne e çmojmë shumë konsideratën e qeverisë federale dhe patjetër që janë shumë të shënuara vlerësimet që Kancelari bëri publikisht për progresin që ne kemi bërë”.

“Jemi shumë të vetëdijshëm se kemi ende shumë për të bërë në të gjitha drejtimet dhe jemi shumë të vendosur t’i bëjmë të gjitha ato që duhen bërë. Për ne procesi i integrimit nuk është për të shkuar në Evropë, por për të ndërtuar një Shqipëri me standardet e BE-së në funksion të së ardhmes dhe këtë ia detyrojmë fëmijëve tanë”, shtoi Kryeministri.

Rama tha se “ne jemi tërësisht 100 % në një linjë me Kancelarin, sikundër jo vetëm Shqipëria apo Gjermania, por gjithë BE është në një linjë në raport me agresionin rus mbi Ukrainën”.

“Ne i dënojmë njëzëri krimet mizore që po kryhen atje dhe njëzëri kërkojmë një armëpushim sa më të shpejtë dhe negociata sa më të vërteta për të çuar në përfundimin e këtij kalvari që po shkatërron jetën e miliona njerëzve, po rrafshon qytete të tëra dhe faktikisht po bën reale në sytë e të gjithë botës atë që ne mendonim se nuk do përsëritej kurrë më, një luftë në Evropë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “ishte shumë e mirëpritur nga ana ime dhe jam i bindur se do të mirëpritet në gjithë Ballkanin Perëndimor qëndrimi i Kancelarit dhe shprehja e dëshirës për t’i dhënë një impuls të ri Procesit të Berlinit”.

“Procesi i Berlinit është një vizion jashtëzakonisht i rëndësishëm për rajonin tonë dhe ka sot më shumë se asnjëherë të nevojshëm një impuls të ri për shkak të një ngadalësimi dhe përhumbje në kanalet e burokracisë në Bruksel. Informova Kancelarin dhe për ‘Ballkanin e Hapur’, që është një përpjekje për ta jetësuar Procesin e Berlinit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “rivitalizimi i Procesit të Berlinit është gjëja më e mirëpritur dhe përfshirja e të gjitha vendeve për të jetësuar 4 liritë e BE-së, është gjëja e duhur për të garantuar paqen, bashkëpunimin rajonal dhe të ardhmen”.

Për sa i përket marrëdhënieve bilaterale, Rama vlerësoi se janë absolutisht të shkëlqyera.

“Shpresoj shumë që Gjermania përveç se të bëjë pjesën e saj për sa i përket përmbushjes së procesit dhe pranimit nga gjithë Këshilli Evropian njëzëri të uljes në tryezën e negociatave, të përmbushë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, një proces i merituar prej shumë vitesh, por i bllokuar. Shpresojmë të çlirohet, sepse na intereson shumë që të gjitha vendet e Ballkanit të marrin atë që meritojnë në raport me ecurinë e tyre drejt BE-së”, tha Rama.

Në përfundim ai ftoi kancelarin gjerman të vizitojë Shqipërinë, ndërsa shtoi se “Shqipëria  dhe rajoni kanë shumë nevojë për Gjermaninë, por edhe Gjermania ka shumë nevojë për rajonin”.

I pyetur mbi ndarjen nga Maqedonia e Veriut, Rama tha se “ashtu siç është shprehur në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar, të cilit në rastin e ndarjes nga Maqedonia e Veriut iu përgjigjën pozitivisht 66 % e qytetarëve shqiptarë, kjo do të ndodhë nga ana jonë vetëm nëse në qershor nuk do të hapen përsëri negociatat formalisht për Shqipërinë për shkak të Bullgarisë”.

“Deri në qershor, sikundër e kemi shtruar në Këshillimin me popullin shqiptar, ne do të vazhdojmë të jemi në një linjë me Maqedoninë e Veriut, që të dyja vendet duhet të marrin dritën jeshile. Nëse në qershor Bullgaria do të bllokojë sërish Maqedoninë e Veriut, ne do të ndryshojmë qasjen tonë dhe do të kërkojmë nga Gjermania, Franca e të gjithë që të na ndajnë, sepse është diçka e pamundur që të përballohet gjatë, që ti të mos dalësh dot nga shtëpia se duhet të zgjidhin problemin me njëri-tjetrin dy fqinjë”, tha Rama.

I pyetur mbi ndikimin e shteteve të treta në Ballkanin Perëndimor, Rama tha se “sigurisht që ndikimi i Rusisë në rajonin tonë përbën një problem, për më tepër në kushtet e sotme, çka e bën shumë më të nevojshme aktivizimin më intensiv të BE-së dhe përpjekjen nga ana e BE-së për t’i afruar shumë më pranë të gjitha vende e Ballkanit Perëndimor pa përjashtim”.

“Ndërkohë që Kina është një vend i cili ka synimin e vetë të deklaruar në të gjithë ish- Europën Lindore. Ka edhe një format special të Kinës 17+1 në të gjitha vendet ish-komuniste, që është një projekt investimesh. Shqipëria nuk ka ndonjë marrëdhënie të posaçme as me njërën, as me tjetrën dhe niveli i investimeve të Rusisë në Shqipëri është zero. Ai i Kinës është minimal, i papërfillshëm krahasuar me të gjitha vendet e tjera”, shtoi Rama.

Ndërsa për sa i përket Turqisë, Rama tha se “Turqia nuk është një aktor i tretë”.

“Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe në këndvështrimin tim, Turqia është një valvul shumë e rëndësishme sigurie në gjithë Europën. Ndërsa me vendet e Gjirit ne kemi marrëdhënie miqësore prej shumë e shumë vitesh, i kultivojmë ato. Nuk kemi asnjë arsye të shohim tek ato vende asnjë gjë tjetër, përveçse miqve dhe janë të mirëpritur në Shqipëri për të bërë investimet e tyre. Por, prezenca e tyre në vendin tonë dhe në përgjithësi është shumë, shumë më e ulët në aspektin e investimeve, sesa stërzmadhohet në artikuj dhe vëzhgime sensacionale të medies”, tha Rama.

Lidhur me integrimin, Rama tha se “ne nuk presim asnjë gjë, në sensin që cilido të jetë konkluzioni i Këshillit Evropian në qershor, kjo lidhet jo me çfarë ne kemi bërë apo jo, por me sa BE do të jetë në gjendje të marrë një vendim siç na takon”.

“Jemi zhgënjyer në mënyrë të përsëritur për disa vjet. KE për disa vjet na ka dhënë të drejtë të vazhdojmë me fazën tjetër gjë që për ne ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme sepse KE është e vetmja strukturë që ka kapacitetin të vlerësojë objektivisht dhe teknikisht ecurinë e vendeve, pasi janë dhjetëra njerëz që punojnë 24 orë në 7 ditë të javës në Shqipëri. Ndërsa Këshilli Evropian merr vendime që kanë një natyrë politike. Të mësuar me zhgënjimet dhe duke dëshiruar që të mos zhgënjehemi më, ne nuk presim asnjë gjë përveç asaj që na takon. Nëse nuk do ta marrim nuk do të jetë hera e parë. Nuk do të mërzitemi, do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, sepse nuk e bëjmë për Brukselin, por e bëjmë për fëmijët tanë”, shtoi ai.

Pyetjes se çfarë mendon nëse Ukraina hyn më shpejt në BE se Shqipëria, Rama tha se “kjo pyetje më vë pak në pozitë, sepse duhet thënë e vërteta”.

“Unë më shumë jam shqetësuar se mos Ukraina mendon vërtetë se mund të hyjë më shpejt në BE, jo se do të hyjë më shpejt. Do i thosha edhe atyre që e ushqejnë këtë iluzion për Ukrainën të mos e përdorin Ukrainën për të shprehur entuziazmin e tyre revolucionar nëpër instanca të ndryshme, sepse nuk duhet shumë shkencë për ta kuptuar si funksionon BE, dhe kjo nuk mund të ndodhë, sipas meje. Megjithatë, nëse do të ndodhte, nuk do të bëheshim absolutisht xhelozë që Ukraina do të hynte përpara”, tha ai.