Shkup, arrestohet Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë
Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Zeqiri u mor në arrest mbrëmë në mesnatë, i dyshuar për shpërdorimin e detyrës. Prokuroria për Kriminalitetin e Organizuar i kërkoi gjykatës masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh për zotin Zeqiri dhe gjykata e miratoi atë.
Dje zoti Zeqiri e njoftoi në rrjetin social Facebook dorëheqjen nga posti i lartë qeveritar.
Ai dyshohet se me ndihmën e dy shtetasve kroatë kishte lidhur marrëveshje për shërbime konsulence pa procedurat e nevojshme për prokurim publik. Prokuroria bëri të ditur se të dyshuarit kishin përvetësuar në mënyrë të jashtligjshme një vlerë prej 950 mijë eurosh në dëm të buxhetit të Maqedonisë së Veriut. Prokurorja e çështjes u tha gazetarëve se nuk dinte se ku ndodheshin paratë. Ndërkohë, procedurat parahetimore për rastin kishin filluar disa muaj më parë.
Muhamet Zeqiri para se të merrte postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë në fund të vitit 2020, ishte deputet i Lidhjes Social Demokrate, ku deri para pak kohësh ka pasur edhe postin e nënkryetarit të partisë.
Edhe paraardhësi i Zeqirit, ish-Sekretari i Përgjithshëm Dragi Rashkovski akuzohet për korrupsion dhe është në pritje të shpalljes së dënimit nga gjykata.
Opozita maqedonase thonë se zyrtarët e lartë qeveritarë të korruptuar nuk kanë mundur të veprojnë pa dijeninë e ish-kryeministrit Zoran Zaev, “tek i cili në të vërtetë kanë përfunduar paratë”, sipas opozitës.
Fraksion.com