AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Pozicioni ynë ndërkombëtar më i fortë dhe i respektuar, të vendosur të ecim më tej me “Ballkanin e hapur”

Kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e Shqipërisë në aspektine politikës së jashtme, i cili tha ai ishte i paimagjinueshëm disa vite më parë.

Rama tha se ne sot nuk jemi një faktor pasiv stabiliteti në rajon, por jemi aktorë aktiv dhe do të vazhdojmë ta luajmë këtë rol.

“Roli që Shqipëria po luan sot, ishte i paimagjinueshëm vetëm disa vite më parë. Ishte e paimagjinueshme që Shqipëria do të drejtonte OSBE-në, që Shqipëria do të ulej në tryezën e Këshillit të Sigurimit, që Shqipëria do të mbante penën e dosjes më të nxehtë të botës sot bashkë me SHBA-të, me kërkesë të SHBA-së të jemi të qartë të mos krijojmë keqkuptim që po i vë në një plan nuk imagjinoheshin. Jam shumë krenarë për këtë fakt. Sot pozicioni ynë ndërkombëtar është ku e ku më i fortë dhe respektuar se ç’ishte. Ashtu sikundër jam krenar për faktin se sot pavarësisht se jemi vend i vogël, në tryezat ndërkombëtare jemi të gjithë të barabartë dhe trajtohemi si të barabartë. Ne sot nuk jemi një faktor pasiv stabiliteti në rajon, ne sot jemi aktorë aktiv në rajon dhe do të vazhdojmë ta luajmë këtë rol. Respektohemi për këtë rol, konsultohemi në mënyrë kosntrante për të gjitha çështjet rajonale”, deklaroi Rama.

Kryeministri sërish theksoi se do të ecet përpara me “Ballkanin e hapur” dhe se falë kësaj nisme për dy herë rresht Serbia bashkohet me Perëndimin në Kombet e Bashkuara kundër Rusisë.

“Jemi shumë të vendosur të ecim më tutje me “Ballkanin e hapur” Le të thonë çtë duan përfaqësuesit e “turbofolkut nacionalist”, ne do të vazhdojmë me “Ballkanin e hapur” dhe besoj se asnjë shqiptari të arsyeshëm nuk i vjen keq, përkundrazi s’ka se si të mos i vijë mire, kur për dy herë rresht, Serbia bashkohet me Perëndimin në Kombet e Bashkuara kundër Rusisë. Pa “Ballkanin e Hapur” kjo nuk do të kishte ndodhur”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “Ballkani i hapur” është shumë i çmueshëm për të ardhmen e rajonit dhe për çdo vend në rajon. Kryeministri tha se edhe ato vende që ende nuk i janë bashkaur nismës do ta kuptojnë rëndësinë dhe do t’i bashkohen të gjithë.

“Na duhet ta mbajmë këtë kurs, që është kurs paqeje dhe sigurie. Mos harroni se në Evropë ka filluar edhe një luftë. Nuk kemi asnjë llogari t’u fryjmë zjarreve të kota, por llogaritë tona janë që ti fryjmë erës së bashkëpunimit”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com