Kodheli: Në kongres do të transformojmë veten
Mimi Kodheli, deputete e PS në Kuvendin e Shqipërisë dhe nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në një intervistë ekskluzive me DW për integrimin Europian, anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe aferat e PS-së.
Deutsche Welle: Zonja Kodheli, para ca kohësh këtu ishte kryetari i grupit parlamentar të socialistëve Taulant Balla, sikurse dhe ju, për të lobuar për fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në? Cili është roli që ka Gjermania në shtytjen përpara të këtij procesi?
Mimi Kodheli: Gjermania mbetet një vend shumë i rëndësishëm për ne, për integrimin. Integrimi vetë është një proces i rëndësishëm, ndaj edhe rëndësia që ne i japim me të drejtë është se Gjermania ka një zë unikal në Europë dhe në botë për mbështetjen e jashtëzakonshme që i jep rajonit në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë Shqipërisë. Kjo e bën të nevojshme që ne, herë pas here, të vijmë të kontaktojmë dhe debatojmë me kolegët tanë për të shpejtuar proceset, sidomos ato procese, të cilat hasin vështirësi të ndryshme edhe për shkak të ngjarjeve të fundit në Europë.
Takimi me kolegun e Komitetit të Jashtëm, Michael Roth, dhe me kolegun e Komitetit të BE-së, Anton Reithofer, e bëjnë vizitën sa të rëndësishme aq edhe të domosdoshme për sa i takon shkëmbimit të informacionit, shkëmbimit të mendimeve edhe mbështetjes që duhet ne vetë t’i japim procesit, pasi dihet që prej Gjermanisë dhe Komisionit procesi ka pasur mbështetje të plotë.
Konferenca e parë ndërqeveritare aktualisht po pengohet nga Bullgaria. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha para ca ditësh se do të kërkojë shkëputjen nga Maqedonia e Veriut. A e mbështesni ju këtë kërkesë?
Po, dhe me të drejtë. Edhe vetë përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut e kanë kërkuar këtë gjë. Këtu po tentohet që të jetë një proces i madh e i pandashëm, por në rast se nuk do të ndodhë kështu, neve do të na duhet realisht ta kërkojmë këtë gjë.
Ju jeni nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, çfarë roli luan ky institucion në luftën e Ukrainës?
Asambleja Parlamentare e NATO-s është një institucion i rëndësishëm, i përbërë nga anëtarë të parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s. Ne, në fakt, kemi qenë në proceset tona të zakonshme të punës normale për dhënien e mendimeve lidhur me programin strategjik të NATO-s për dhjetëvjeçarin e fundit, por pa kalkuluar deri në detaje faktin se kishim një luftë që po trokiste në dyert tona, në kufij me vendet e NATO-s. Sot situata është tjetër. Federata Ruse është ajo që ka realizuar këtë turp të historisë, një agresion pushtimi ndaj një vendi të pavarur, i cili nuk e ka provokuar këtë luftë, siç është Ukraina, kështu që NATO-ja, qoftë dhe me amendimet e Asamblesë, sot ka një qasje tjetër shumë më të vështirë, e cila do të çojë në një rishikim të së ardhmes së strukturës së organizmit më të madh e më të rëndësishëm politik dhe ushtarak, si edhe më të suksesshmit të të paktën 70 vjetëve të fundit.
Kosova ka kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO. A ka shans që së shpejti kjo të ndodhë?
Kosova ka një plan të ideuar lidhur me transformimin e Forcës së Sigurisë dhe ka për qëllim ta ndjekë këtë plan deri në anëtarësimin në NATO. Nga ana tjetër, Shqipëria bashkë me Kosovën, për mendimin tim, duhet të punojnë fort me ato katër vende të NATO-s që nuk e njohin Kosovën dhe kjo është një gjë që duhet të shkojë paralelisht me përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës. Këto janë procese, të cilat edhe mund të përshpejtohen për shkak të asaj që po ngjet sot në Europë.
Si anëtare e grupit socialist, si po e trajtoni ju aferën e inceneratorëve, që opozita e ka quajtur “afera e shekullit”.
Këto hiperbolizime si “afera e shekullit” apo të ngjashme të tyre janë në fantazinë e njerëzve. Problemi është se ne duhet të jemi me këmbë në tokë. Partia Socialiste dhe unë nuk jemi as gjykatësi, as prokurori, as hetuesi i çështjes dhe nuk kemi pse ta bëjmë këtë rol. Ne kemi një rol të mirëpërcaktuar në Parlament, edhe kur flitet për anëtarë të grupit tonë parlamentar apo të grupeve të tjera parlamentare, pra, anëtarë të parlamentit në përgjithësi. Këtë çështje e ka marrë në dorë drejtësia. Ne e kemi mbështetur këtë gjë. Ajo do të bëjë punën e saj. Ne kemi qenë të vetmit që kemi kërkuar, dhe vazhdojmë të besojmë se kemi bërë gjënë e duhur, që kemi kërkuar reformën në drejtësi, pavarësisht se e kemi ditur se mund të vinte një ditë që, persona nga radhët e politikës apo administratës publike të sotme ose të mëparshme, mund të kishin probleme me ligjin. Ne do të vazhdojmë ta zgjerojmë dhe thellojmë reformën në drejtësi, të bindur se po bëjmë gjënë e duhur.
Kjo është ana ligjore apo juridike e çështjes, po ana morale? Më kujtohet, kur këtu Bundestag u zbuluan afera korruptive të anëtarëve të CDU-së, menjëherë deputetët miratuan një kod transparence për të luftuar kapjet. Keni ndër mend të bëni ju një gjë të ngjashme?
Gjithkush ka procedurat e veta në qasjen ndaj kësaj gjëje. Gjëja më e rëndësishme që po i ndodh PS-së sot është kongresi, tek i cili ne me të vërtet do të dimë të transformojmë veten, ashtu siç kemi ditur ta bëjmë këtë në vite, prandaj edhe jemi partia më e madhe në vend, që vazhdojmë të qeverisim prej tri mandatesh./DW
Fraksio.com