AktualitetBota+Të fundit

Senati miraton unanimisht dy projektligje për të dëmtuar Rusinë

Senati amerikan votoi të enjten unanimisht për t’i hequr statusin e “vendit më të favorizuar” Rusisë dhe aleatit të saj të ngushtë Bjellorusisë, si edhe për të ndaluar importet ruse të naftës, duke shkaktuar kështu pasoja të mëtejshme ekonomike ndaj Moskës, në përgjigje të agresionit ndaj Ukrainës.

Senati votoi me 100 vota pro dhe 0 kundër në favor të masës që heq statusin e Marrëdhënieve Normale të Përhershme Tregtare (PNTR). Menjëherë pas kësaj, senati mbështeti gjitashtu unanimisht masën e energjisë.

Miratimi nga Senati i dërgon tani dy projektligjet në Dhomën e Përfaqësuesve, ku miratimi pritet më vonë të enjten. Hapi tjetër do të ishte Shtëpia e Bardhë, ku presidenti Joe Biden pritet të nënshkruajë projektligjet.

Dhoma e Përfaqësuesve i miratoi të dy projektligjet në fillim të këtij viti, por ato u bllokuan në Senat.

Udhëheqësit demokratë të Senatit fillimisht nuk e sollën masën e energjisë për votim, duke bërë që republikanët të refuzonin të miratonin projektligjin e tregtisë pa një garanci për votim mbi legjislacionin e naftës.

Ligji amerikan i jep Kongresit të drejtën të miratojë ndryshimin në statusin tregtar të Rusisë dhe Bjellorusisë.

Disa senatorë gjithashtu nuk u pajtuan me formulimin në një dispozitë të projektligjit të tregtisë që riautorizon Aktin Magnitsky, i cili parashikon sanksione për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Senatorët njoftuan një kompromis të mërkurën vonë, në të cilin ata ranë dakord të marrin në konsideratë si masën tregtare ashtu edhe atë të energjisë.

Dhoma e Përfaqësuesve duhet të rishqyrtojë të dy projektligjet për shkak të ndryshimeve teknike të bëra në Senat nga legjislacioni i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Rusia e quan sulmin ndaj Ukrainës një “operacion special ushtarak”.

 

Fraksion.com