Ryshfet e shpërdorim detyre: Arrestohen drejtues të policisë kufitare të Shqipërisë e Kosovës në Morinë
Prangosen disa drejtues të policisë shqiptare në pikën kufitare të Kosovës në Vërmicë.
Aksioni “Pika” ishte nisur disa javë më parë me arrestimin e 50 zyrtarëve policorë, ndërsa ka vazhduar edhe sot.
Sipas mediave në Kosovë sot priten të arrestohen rreth 20 efektivë policie të Kosovës dhe 40 të tjerë në radhët e policisë shqiptare.
Ata dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore në Shqipëri.
Komunikatë e përbashkët për media nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së.
Operacionit të sotshëm (i koduar me emrin “Pika 2”) i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit.
Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri).
IPK do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor.
Fraksion.com