Fjalët e shërimit: Rezilienca në lëvizjen rome
Rezilienca, qëndrueshmëria ndaj vështirësive është ajo që i karakterizon heronjtë. Çfarë mund të mësojmë nga historitë e atyre sintëve dhe romëve, që përkundër të gjitha vështirësive festojnë suksesin? Një ese.
Ngjarjet traumatizuese, me të cilat sintit dhe romët janë ballafaquar në dekadat e fundit, i kanë bërë të fortë duke ngulitur tek ata një self-empowerment. Atyre edhe sot u duhet të përballen çdo ditë me stereotipe, dhe vetëm disa ia dalin, që përkundër të gjitha vështirësive të ndërtojnë një jetë të ekuilibruar. Si rezultat i kësaj, fokusi i tyre është zhvendosur nga të kërkuarit për t`u pranuar në shoqëri tek forcimi i vetes dhe shërimi. Kjo bazë e re e lëvizjes rome ka për qëllim të rifitojë autoritetin në lidhje me prezantimin e vetvetes dhe krijimin e njohurive për vetveten.
Rezilienca si kontra-diskurs
Ky mendim luan një rol edhe për profesorin Ian Hancock. Si njëri nga shkencëtarët e parë nga komuniteti rom, ai e cilëson këtë akt një kontra-diskurs. Sipas tij ky është çelësi për të sfiduar stereotipet dhe nënshtrimin, që rezulton prej këtyre stereotipeve. Nëse do të pohoja, se është fjala për të ndërtuar një identitet pozitiv, mund të fusja shumëkënd në rrugën e gabuar. Në radhë të parë pasi ky ndryshim vjen si rezultat i largimit nga një botë e kundërshtive binare, për të kërkuar rikthimin te liria e identitetit të vet. Kjo përpjekje na bën të gjithëve të kuptojmë se stereotipet shekullore nuk janë ato që na përcaktojnë. Ai u drejtohet jo-romëve në sensin e reflektimit, madje për të analizuar e shqyrtuar qëndrimin e vet, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Storytelling
Si organizatat lokale të romëve, ashtu edhe ato transnacionale kanë zhvilluar projekte inovative lidhur me temën e identitetit në dhjetë vitet e fundit. Të gjitha kanë përdorur metodën e fuqishme të storytelling, për të prezantuar personalitete dhe karaktere nga komuniteti rom, arritjet e të cilëve në histori dhe aktualitet paraqesin një pasurim për shoqërinë. Këtu përdoren fjalë karakteristike të vetat për formulimin e perceptimeve dhe analizave të biografive të tyre.
Ndryshimi i perspektivës shërben edhe për t`u larguar nga kategoria e viktimës, që ka dominuar për një periudhë të gjatë në prezantimin e sintive dhe romëve. Historitë na lenë të kuptojmë, se kjo është një ndër pengesat më të mëdha, që duhet të kapërcehet nga komunitetet.
Këto projekte tregojnë qartë se në historinë e romëve gjithmonë fjala është për kapërcimin e vështirësive dhe të mësuarit nga këto përvoja, për t`u shëruar nga traumat tona. Mësimet e dala nga historitë e familjeve tona duhet të ruhen për brezat e tjerë, me qëllim që edhe ata të marrin forcë prej tyre. Aspekti i reziliencës, qendrueshmërisë ndaj vështirësive, e zgjeron diskursin për identitetin e romëve, duke u shtrirë në temat përtej etnisë, deri te identifikimi me perspektivat moderne gjinore dhe qasjet feministe.
Heronjtë romë në jetën e vërtetë
Pse është e rëndësishme të flasim për reziliencën? Është e rëndësishme, sepse është e pamundur të ndërtosh identitetin tënd si komunitet apo lëvizje, duke u bazuar në negativitet.
Hungaria është një shembull i qartë. Një seri sulmesh të terroristëve neonazistë mes viteve 2008-2009 u mori jetën gjashtë romëve. Ishte e qartë se shërimi i kësaj traume do të ishte një sfidë e madhe. Aq më e rëndësishme ishte t`u bëhej e qartë jo- romëve se këto vrasje raciste kishin tronditur shoqërinë në tërësi. Pati disa projekte të jashtëzakonshme, që u zhvilluan gjatë kësaj periudhe.
Njëri prej tyre u fokusua në gjetjen e romëve të suksesshëm, që frymëzojnë të tjerët përmes arritjeve të tyre. Organizuar nga Roma Press Center në Hungari, njerëzit u nominuan dhe u përzgjodhën përmes mediave sociale. Ata morën çmimin simbolik “Golden Band Prize”. Çmimi mban emrin e piktorit Tamas Peli, i cili identifikohej si me origjinën e tij rome ashtu edhe me atë hungareze, gjë të cilën e shprehte me fjalët e mëposhtme: “Në ballin tim janë dy shirita të artë – njëri simbolizon identitetin tim si rom, tjetri atë si hungarez.”
Të gjithë pjesëmarrësit u quajtën “Heronjtë romë të së përditshmes” – si respekt simbolik ndaj komunitetit rom për rezilencën, qëndrueshmërinë ndaj vështirësive, për faktin se ata qenë aq të fortë për të qenë të suksesshëm në një shoqëri, në të cilën shanset ndahen në mënyrë të pabarabartë dhe shumëkush përjashtohet. Ky akt i skenës rome hungareze ishte shumë i vonuar dhe u dha forcë jo vetëm fituesve të çmimit, por edhe të gjithë atyre që ishin dëshmitarë të këtij vlerësimi.
Historitë u shpërndanë përmes mediave sociale, por përtej kësaj forme dinamike përfaqësimi, disa nga fituesit e shfrytëzuan vëmendjen që iu dha, për të mbështetur kauza sociale dhe bamirësie, duke bërë diçka të mirë për komunitetin rom në Hungari.
Kulturë heronjsh dhe fjalë shëruese
Independent Theater Hungary feston në 2022-in 15 vjetorin e krijimit. Ky institucion organizon që nga viti 2017 festivalin Roma Heroes, i cili këtë vit zhvillohet nga data 5 deri më 9 maj. Ai është i vetmi festival ndërkombëtar i teatrit rom në botë. Këtu autoret dhe autorët, aktoret dhe aktorët ndajnë historitë dhe përvojat e tyre me publikun dhe përmes artit vënë në pah luftën e përditshme të komuniteteve rome.
Secila pjesë është e ndryshme nga tjetra. Disa përdorin sarkazmën, disa shakanë. Por të gjitha këto fjalë janë padyshim shëruese për publikun – por edhe për vetë artistet dhe artistët. Organizatoret dhe organizatorët e festivalit shprehen kështu: “Ne po tregojmë një fytyrë tjetër të kontinentit tonë”.
Me këtë festival Indipendence Theater i ka dhënë gjinisë letrare “Drama rome” një vend në hartën e letërsisë europiane. Teatri zhvillon prej shumë vitesh metoda didaktike, për t’i bërë historitë e tij të përdorshme për mësimdhënie në universitete dhe shkolla. Kjo metodë mësimore është e para, që bazohet në gjininë letrare të dramës rome. Ajo zgjeron opsionet ekzistuese të të menduarit dhe vepruarit të pjesëmarrësve në diskursin kulturor.
Për ata, që nuk i kanë vizituar deri tani këto festivale, teatri ka publikuar një përmbledhje të dramave të heronjve romë, që deri tani përbëhet nga dy pjesë: “Five European Monodramas” dhe “Five European Dramas”. Duke i lexuar ato, kuptojmë se është vetë rezilienca, rezistenca ndaj vështirësive, ajo që i bën heronjtë që të ngrihen mbi problemet për të arritur qëllimin, ndërkohë që gjejnë gjithmonë mënyra për të ndarë njohuritë e tyre dhe për të frymëzuar të tjerët, të cilët forcohen prej tyre. Kështu na bëhet e qartë se të gjithë romët janë heronj. Dhe ne të gjithë mund të jemi heronj.
Maria Bogdan është shkencëtare sociologe dhe teoriciene e medias. Vitet e fundit ajo ka qenë aktive në mediat sociale në kontekstin e lëvizjes rome. Kjo është eseja e tretë nga seria me tri pjesë “Zëri i Ngjyrave” mbi rezistencën, përkatësinë dhe rezilencën, si koncepte qendrore në lëvizjen rome. Autorja i analizon ato me anë të veprave të rëndësishme nga arti dhe kultura e komuniteteve rome. Artikujt në këtë seri publikohen në anglisht dhe në gjuhën romanes në romblog.net.
Kjo seri esesh nga Maria Bogdan botohet si pjesë e programit të granteve NewsSpectrum, një nismë e IPI dhe MIDAS.
ERIAC dhe DW janë partnerë në këtë program./DW
Fraksion.com