“Të sfidoj”; Vokshi denoncon: Teza ka dalë disa orë para provimit me porosi të ministres! Kushi: Nëse i provon akuzat unë dorëhiqem
Deputetja Albana Vokshi ka denoncuar Ministrinë e Arsimit se ka publikuar tezën e provimit për vlerësimin e mësuesve në arsimin parauniversitar. Ky provim pritet të zhvillohet sot në orën 14:00 në shkollën “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, ndërsa sipas Vokshit teza e pyetjeve ka dalë disa orë para provimit.
“Skandali!!Mësuesja në Elbasan denoncon #skandalin me provimin e Vlerësuesve të Arsimit Parauniversitar që do të zhvillohet sot në orën 14.00 në Tiranë në shkollën Sabaudin Gabrani.
Dalin pyetjet me porosi të Ministres Evis Kushi që të certifikohen të njohurit e Ministres dhe militantet e partisë…..Ky është “vetëreformimi” në arsim për të cilin foli Kryeministri Rama dje në Asamblenë e PS”, shkruan Vokshi.
Për këtë ka reaguar dhe ministrja e Arsimit.
“Sfidoj deputeten Albana Vokshi që të provojë akuzat e saj në lidhje me ndërhyrjen time apo të stafit tim në procese testimi dhe vlerësimi të mësuesve. Unë që sot largohem nga detyra nëse ajo i provon akuzat, por, në të kundërt, deputetja do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje.
Që sot do të depozitoj padinë në gjykatë. Qytetarët nuk mund të helmohen çdo ditë me shpifje. Është turp dhe e pafalshme që, për qëllime politike, të shpërdorohet besimi i qytetarëve nga karrigia e deputetit, duke sajuar akuza që cënojnë besueshmërinë dhe nxitin pasiguri te mësuesit dhe nxënësit për proceset vlerësuese në sistemin arsimor. Të dashur mësues, ne do të vazhdojmë çdo ditë të punojmë së bashku për të përmirësuar më tej sistemin tonë arsimor, duke mos u dekurajuar nga asnjë sulm politik. Të dashur nxënës, ne bëjmë çdo ditë e më shumë përpjekje për të garantuar barazi, transparencë dhe meritokraci në vlerësimin e arritjeve tuaja”, shkruan Kushi.
Procesi i provimit të kualifikimit dhe vlerësimit të mësuesve të arsimit parauniversitar i nënshtrohet këtij testi për të gjashtëmbëdhjetin vit radhazi, ku mësuesit marrin pjesë në procesin për të fituar kategoritë e kualifikimit. Përveç marrjes së kategorisë, ky proces gjithashtu ka qëllim të ndikojë në përmirësimin e zhvillimit të vazhduar profesional të mësuesve në mënyrë që ata të përmirësojnë procesin e mësimdhënies dhe ajo që është më kryesorja të përmirësojnë arritjet e nxënësve.
Provimi i kualifikimit do të realizohet me shkrim në shkollën “Sabaudin Gabrani” në Tiranë.
Denoncimi nga Albana Vokshi
Fraksion.com