Shqipëria dhe Kosova në Panairin e Frutave në Berlin
Me gjithë krizën aktuale në sektorin e ushqimit, kërkesa për fruta perime nga Shqipëria e Kosova është shtuar, thonë prodhuesit.
Speca, domate, boronica e fiq të thatë, mollë shkëlqejnë pas xhamit në vitrinën e stendave të Shqipërisë. 11 agropërpunues fruta perimesh kanë ardhur nga Shqipëria për të ekspozuar në panairin e frutave dhe perimeve në Berlin. Fruit Logistica (5-7.04.2022) është i pari panair në të gjithë Gjermaninë që pas dy vjet pushtimesh organizohet pa kufizimet pandemike
Stenda e Shqipërisë është bërë me mbështetjen e Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ dhe Ministrisë së Bujqësia dhe Zhvillimit Rural. Hafuz Domi nga shoqata ADAD Malore, thotë për DW se prodhimi i frutave në shkallë kombëtare në Shqipëri arrin rreth 300 mijë tonë, ku vendin kryesor, afro 40 përqind, e zënë mollët.” Nga Shqipëria eksportohen nga 10 deri 13 mijë tonë në vit, në varësi të vitit, thotë ai.
Kosova me fruta të imta.
Ndërsa destinacioni kryesor i prodhimeve fruta-perime nga Shqipëria janë vendet e lindjes, 90 përqind e produkteve nga Kosova kanë si destinacion marketet gjermane dhe zvicerane, thotë Faton Peci, ministër i bujqësisë së Kosovës. Kosova konkurron në Fruit Logistica kryesisht me fruta të imta, si mjedra, boronicat, dredhëzat, si edhe kërpudha, produkte këto që në tregjet perëndimore janë shumë të kërkuara dhe shiten me çmime të larta.
Bejtush Gashi.nga Eurofruti, njëra nga tetë kompanitë e prezantuara këtë vit në panairin e Berlinit, thotë se klima e Kosovës është shumë e përshtatshme për këto fruta: “Kosova nuk ka vend për drithëra, por vend për fruta kemi mjaftueshëm”. Sipas tij 70 përqind e eksporteve shkojnë në Gjermani dhe kërkesa sa vjen e rritet. Deri tani frutat dërgohen nëpër agropërpunues të mëdhenj evropianë, e më pas vijnë në Gjermani, por Gashi shpreson që në të ardhmen të arrijë t’i shesë ato direkt në marketet gjermane. Impiantin përzgjedhës që punon me kamera me laser dhe më pas i paketon vetë frutat, ai tashmë e ka blerë.
Trendi është në rritje
Ambalazhimi ishte edhe njëra nga temat e panairit të sivjetëm, Fruit Logistica, në Berlin, por jo e vetmja: Por edhe krizat e njëpasnjëshme: pandemia, ndërprerja e zinxhirit të furnizimit, nafta e gazi dhe lufta e Ukrainës u trajtuan në për panele. Krizat kanë lënë gjurmët e tyre edhe në panair. Tregu është tkurrur, pasi shumë ekspozues nga vendet aziatike nuk kanë ardhur. Sa për krahasim: Ndërsa në vitin 2020 merrnin pjesë 3200 ekspozues, këtë vit janë 2000.
Por duket se kjo krizë, nuk ka pasur ndikim negativ ndaj prodhuesve shqiptarë. Përkundrazi, eksportet janë rritur. “Është një krizë pa precedentë dhe sfidë për tërë botën,” thotë për DW ministrja e Bujqësisë së Shqipërisë, Frida Krifca. Por pozitiv është fakti që eksporti i produkteve bujqësore është rritur me 14 përqind vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, thotë Krifca. Përfaqësuesit e agrobizneseve si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri ndodhen nën presionin e rritjes së kërkesës nga njëra anë, por edhe të rritjes së kostove të prodhimit, nga ana tjetër, kondicionuar nga rritja e çmimeve në përgjithësi. Si Krifca ashtu edhe homologu i saj nga Kosova, Peci, sigurojnë se qeveritë e tyre i kanë marrë masat për të lehtësuar sa më shumë biznesin dhe fermerët në vendet e tyre./dw
Fraksion.com