AktualitetNATO/BETë fundit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të G7

Të enjten (7 prill 2022), Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të G7 (Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) për të diskutuar përgjigjen ndërkombëtare ndaj pushtimit brutal dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia. Organizuar nga Gjermania, takimi u mbajt në selinë e NATO-s, në margjinat e takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm theksoi rëndësinë e unitetit në dënimin e luftës dhe mbajtjen e presionit ndaj Rusisë. Ai falënderoi G7 për rolin thelbësor që po luan në koordinimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën, si dhe në adresimin e pasojave të luftës në ekonominë globale. Ai shtoi se bashkëpunimi me demokracitë me të njëjtin mendim është thelbësor për të mbrojtur vlerat e përbashkëta dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Në takim morën pjesë Josep Borrell (Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë), Luigi Di Maio (Ministri i Punëve të Jashtme, Itali), Jean-Yves Le Drian (Ministri i Punëve të Jashtme, Francë), Hyoshimasa Ayashi (Ministri i Punëve të Jashtme, Japoni) , Antony J. Blinken (Sekretar i Shtetit i SHBA-së), Annalena Baerbock (Ministrja e Punëve të Jashtme, Gjermani), Mélanie Joly (Ministrja e Punëve të Jashtme, Kanada), Elizabeth Truss (Sekretarja e Shtetit në Mbretërinë e Bashkuar) dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Takimi i Ministrave të Jashtëm të G7 vjen pas një takimi të liderëve të G7 të mbajtur në selinë e NATO-s më 24 mars 2022, në margjinat e Samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s.

 

Fraksion.com