AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Negociatat për Presidentin janë farsë

Presidenti Ilir Meta i konsideroi sot farsë, negociatat e nisura për zgjedhjen e Presidentit.

Në një intervistë televizive, Meta tha se “nuk shoh asnjë mundësi që opozita aktuale t’i imponohet mazhorancës, por shohim se mazhoranca po i imponohet një pjese të opozitës”.

“Në 2017 bëra çdo gjë që Presidenti të mos ishte i Ramës. Për këtë arsye unë e pranova këtë detyrë, për të cilën nuk jam penduar, pavarësisht se situata në të cilën kam ushtruar mandatin ka qenë e minuar nga të gjitha anët. Për negociatat e nisura për zgjedhjen e Presidentit, në gjykimin tim janë një farsë sepse nuk shoh asnjë mundësi që opozita aktuale t’i imponohet mazhorancës, por shohim se mazhoranca po i imponohet një pjese të opozitës”, theksoi Meta.

“Kam qenë vetëm i tradhtuar dhe i provokuar nga të gjitha drejtimet. Unë nuk kam qenë i qetë sepse nuk kam pasur të qarta disa gjëra, jo në raport me zotin Basha sepse për atë kam qenë shumë i qartë dhe ja kam shprehur të gjithëve këtë fakt. Ndaj jam sot i qetë sepse jam i qartë për të ardhmen. Jam i qetë sepse i kam fituar të gjitha betejat, në “Venecia” dhe këtu, në mbrojtje të Institucionit të Presidentit”, shtoi Meta.

Meta tha se, “një nga angazhimet e mia në të ardhmen do të jetë që qytetarët të flasin nëpërmjet referendumeve dhe jo nëpërmjet “Këshillimeve”. Më 25 korrik 2022 opozita do ridimensionohet”.

“Sovraniteti do jetë një nga çështjet që unë do angazhohem në të ardhmen, kthimi i sovranitetit të popullit shqiptar. Kam vendosur të qëndroj ne politike dhe do qëndroj gjatë.
Në këtë vend, është dëmtuar sovraniteti i vendit dhe i popullit shqiptar që është zot i vendit të vet. Sovraniteti do të jetë tema kryesore, por gjithashtu do te jem i angazhuar për demokracinë , lirinë , ekonominë dhe të drejtave të qytetareve. Kjo do jetë edhe nja nga çështjet që do te jetë pjesë e ridimensionimit të opozitës pas 24 korrikut”, tha Meta.

I pyetur për një mandat të dytë për President, Meta tha se nuk pranoj asnjë propozim për një mandat të dytë si President, pas 25 vitesh ndoshta.

 

Fraksion.com