AktualitetBota+Të fundit

Republikanët bllokojnë në Senat projektligjin për COVID-in, kërkojnë të ruhen kufizimet ndaj emigracionit

Republikanët bllokuan të martën një përpjekje të demokratëve për të filluar në Senat debatin për një paketë kompromisi prej 10 miliardë dollarësh për COVID-19, duke kërkuar që ta lidhin këtë propozim dypartiak me tematikën elektorale për kufizimet ndaj emigracionit, që do të krijonte një pozitë të pafavorshme për demokratët.

Një ditë pasi negociatorët demokratë dhe republikanë arritën një marrëveshje për të ofruar fonde për trajtimet, vaksinimin dhe testimin, një përpjekje e demokratëve për të kaluar një pengesë proceduriale dështoi me një votim 52-47. Të gjithë senatorët republikanë e kundërshtuan përpjekjen, duke i lënë kështu demokratët me 13 vota më pak se 60 votat që u nevojiten.

Disa orë më parë, republikanët u shprehën se nuk do ta mbështesnin propozimin nëse demokratët nuk binin dakort të miratonin një amendament që do t’ia ndalonte Presidentit Biden të hiqte kufizimet e vendosura nga ish-Presidenti Trump për emigrantët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa Presidenti Biden figuron ulët në anketime për sa i takon menaxhimit të emigracionit dhe demokratët janë të ndarë për këtë çështje, republikanët e shohin përqëndrimin e vëmendjes tek emigrantët si një linjë sulmi të favorshme.

Mendoj se do të duhet të ketë një amendament që ruan kufizimet ndaj emigracionit në mënyrë që të ecet përpara me projektligjin për reagimin federal ndaj pandemisë, u tha gazetarëve kreu i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

Do të duhen votat e të paktën 10 senatorëve republikanë në Senatin e ndarë 50-50, për të kaluar pragun prej 60 votash. Republikanët mund ta mbajnë pezull mbështetjen e tyre derisa demokratët të lejojnë votimin e një amendamenti për emigracionin.

Kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, duke folur me gazetarët (5 prill 2022)
Kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, duke folur me gazetarët (5 prill 2022)

Presidenti Biden dhe kreu i maxhorancës demokrate në Senat, Chuck Schumer, dëshirojnë që Kongresi ta miratojë projektligjin për pandeminë përpara se ligjvënësit të largohen pas pak ditësh për një pushim dyjavor. Votimi i të martës sugjeron se kjo mund të rezultojë e vështirë.

“Ky është një votim ndoshta shkatërrimtar për çdo amerikan që shqetësohet për mundësinë e një varianti të ri që mund të ngrejë kokë brenda disa muajsh”, tha zoti Schumer pas votimit.

Varianti i ri Omikron, BA.2, pritet të shkaktojë një rritje të re të infektimeve me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara. Rreth 980 mijë amerikanë dhe gati 6 milionë njerëz në mbarë botën kanë vdekur nga kjo sëmundje./VOA

 

Fraksion.com