AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Kongresi i PS-së i hapur për grupet e interesit

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot që Kongresi i Partisë Socialiste, i cili do të zhvillojë punimet në datën 9 prill, të ketë brenda edhe shpirtin vetëkritik dhe kritik dhe që debati të zhvillohet si një ndarje reale e shqetësimeve, me vetëdijen që askush nuk zotëron të vërtetën e fundme, por të gjithë së bashku ndihmojmë njëri-tjetrin për të dalë tek vendimet dhe për të bërë zgjedhjet më të mira.

Në fjalën e mbajtur në Asamblenë Kombëtare për Kongresin e Partisë Socialiste, e cila i zhvilloi punimet online, Rama kërkoi angazhimin e të gjithë deputetëve dhe anëtarëve në këtë drejtim, në mënyrë që, siç tha ai, “Kongresi të mos jetë thjesht paraqitje informuese e publikut dhe as një moment i marrjes me zë të lartë të disa angazhimeve nga ana e atyre që kanë përgjegjësi ekzekutive”.

Kryeministri informoi se Kongresi këtë herë do të jetë krejt ndryshe nga herët e tjera nga pikëpamja e organizimit.

“Do të jetë një kongres i hapur në pjesën e parë për grupet e interesit, aktorë dhe faktorë shoqërorë, të ftuar, apo për ata që do të dëshirojnë të na bashkohen në një numër panelesh të shtrira jashtë sallës së Kongreseve, qoftë në pjesën para saj, apo në Bulevard, sheshin ‘Nënë Tereza’ dhe sheshin ‘Italia’”, tha Rama.

Ai theksoi se këto panele do t’i kushtoheni disa temave të një rëndësie të dorës së parë në këtë moment kur zhvillohet Kongresi, por edhe në perspektivën e këtij mandati të tretë.

“Temat që do të trajtohen do të fillojnë nga tema e politikës së jashtme ‘Shqipëria, rajoni dhe marrëdhëniet tona me Evropën’; tek tema e energjisë, që sot ka një rëndësi edhe më të veçantë se në të përditshmen e vet, bashkë me mjedisin dhe lëvizshmërinë, transportet, tek tema tjetër e shëndetit dhe e mirëqenies shoqërore dhe tek tema e rinisë dhe inovacionit”, shtoi Rama.

Rama tha se “këto panele që do të moderohen nga anëtarë të kryesisë së PS-së, së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar, ku do të jenë të ftuar të marrin pjesë në mënyrë aktive përveç deputetëve, edhe të ftuar të tjerë sipas fushave”.

 

Fraksion.com