Pesë kryediplomatë të BE-së kërkojnë debat urgjent për Ballkanin
Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë, i kanë kërkuar shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, që në mënyrë urgjente të fusë në rend dite Ballkanin Perëndimor në takimin e radhës së Këshillit të Çështje të Jashtme, duke e cilësuar këtë rajon si me rëndësi të veçantë.
Në një letër dërguar shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, këto shtet thanë se duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në vendet e BE-së, duhet që Këshilli i Çështjeve të Jashtme, gjatë prillit të diskutojë për strategjinë në Ballkanin Perëndimor.
Ministrat thanë se “përderisa vetëm disa javë kanë kaluar nga diskutimi ynë i fundit për Ballkanin Perëndimor, situata gjeopolitike ka përjetuar një ndryshim të madh për shkak të agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës”.
“Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor ka një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh pozitën kyçe strategjike si rajon i rrethuar nga vendet anëtare të BE-së”, thuhet në letër.
Kryediplomatët e pesë shteteve të BE-së e vlerësuan vizitën që Borrell bëri në mars në Shkup, Tiranë dhe Sarajevë, vizitë, që sipas tyre, dëshmoi përkushtimin e fuqishëm të bllokut evropian për Ballkanin Perëndimor.
“BE-ja duhet të bëjë gjithçka që të parandalojë efektet dëmtuese të sulmit ndaj Ukrainës në Ballkanin Perëndimor. Për këtë është edhe më urgjente se kurrë më parë që t’i japim një shtytje procesit të integrimit të rajonit në BE-“, thuhet në letër.
Konkretisht, ministrat kërkuan që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, nisja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhënia e statusit të vendit kandidat Bosnjë e Hercegovinës dhe përshpejtimi i procesit të negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.
“Duhet të kemi një pikëpamje të re ndaj çështjeve si nisja e shpejt e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjetjen e rrugës për përshpejtimin e negociatave, që janë në vazhdim e sipër, të anëtarësimit me Malin e Zi dhe Serbinë, të avancojmë me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe të mbështesim konsolidimin e unitetit të Bosnjë e Hercegovinës që të marrë statusin kandidat”, kanë shkruar pesë ministrat e Jashtëm të BE-së.
Në letër po ashtu u kërkua që të rritet bashkëpunimi praktik me shtetet e Ballkanit si dhe këtyre shteteve t’u jepet ndihmë me qëllim që të përballen me pasojat ekonomike që ka shkaktuar agresioni rus, në veçanti në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe prodhimeve të tjera.
Letrën dërguar Borrellit – i cili kryeson Këshillin e Çështjeve të Jashtme – e kanë nënshkruar ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, ai i Çekisë, Jan Lipavsky, krydiplomati hungarez, Peter Szijjarto, ministri i Jashtëm sllovak, Ivan Korcok dhe ai slloven, Anze Logar.
Takimi i radhës i ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 11 prill në Luksemburg. Ende nuk është e qartë nëse tema e Ballkanit Perëndimor do të vendoset në rend dite, pasi sipas burimeve diplomatike, situata aktuale në Ukrainë dhe krimet e pretenduara të forcave ruse, kërkojnë që fokusi i ministrave të jetë për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.
Por, gjithnjë e më shumë shtetet e BE-së dhe deputetët e Parlamentit Evropian po kërkojnë që Ballkani Perëndimor të jetë në fokus për shkak të rrezikut të ndikimit të Rusisë në rajon dhe mundësisë që të ketë përshkallëzim të tensioneve./REL
Fraksion.com