Scholz konfirmon ndihmën ushtarake për Ukrainën
Kancelari gjerman Olaf Scholz mbrojti sot qëndrimin e qeverisë së tij ndaj pushtimit rus të Ukrainës, duke iu kundërpërgjigjur pretendimeve të opozitës se Gjermania nuk po dërgonte mjaftueshëm armë në Kiev.
Kreu i Kristiandemokratëve (CDU) Friedrich Merz i bëri thirrje Gjermanisë që të dërgojë armatime të rënda në Ukrainë siç janë tanket.
Scholz iu përgjigj ligjvënësve konservatorë në Bundestag se në Ukrainë ishte dërguar një numër i konsiderueshëm armësh dhe pajisjesh ushtarake që do të pasoheshin nga dërgesa të tjera.
“Ne do të ofrojmë çdo gjë që mundemi për sa i përket armëve nga rezervat aktuale të Bundeswehr-it, gjithçka që është e arsyeshme dhe ka një ndikim të shpejtë,” tha ai.
Ai hodhi poshtë kritikat se ministrja e tij e Mbrojtjes nuk kishte organizuar shpërndarjen e shpejtë të dërgesave të armëve.
“Unë e di që ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht po bën gjithçka që është e mundur, duke marrë parasysh vendimet e aleatëve tanë dhe aftësitë e ushtrisë gjermane”, tha Scholz.
Gjithashtu Scholz foli për vrasjet në Bucha, duke thënë se ushtarët rusë kryen një masakër të civilëve ukrainas përpara tërheqjes së tyre. “Vrasja e civilëve është një krim lufte”, tha Scholz.
Fraksion.com