Gjenerali i lartë amerikan bën thirrje për më shumë baza amerikane në Evropën Lindore
Gjenerali më i lartë amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë mundësinë e më shumë bazave në Evropën Lindore për t’u mbrojtur ndaj agresionit rus. Por kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrirë, Mark Milley tha në Kongresin amerikan se trupat duhet të shërbejnë me rotacion dhe jo të ketë dislokime të përhershme. Gjenerali Milley tha se bazat mund të financohen nga vende të tjera si Polonia dhe vendet baltike që duan më shumë trupa amerikane.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se çdo përpjekje për më shumë masa sigurie në Evropën Lindore është një “proces në vazhdim” që ndoshta do të diskutohet në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në qershor.
Gjenerali Milley dhe Sekretari i Mbrojtjes Austin po dëshmonin para Komisionit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me projekt-buxhetin për vitin 2023, por seanca u mbizotërua nga lufta ruse kundër Ukrainës dhe përpjekjet e mundshme të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Ukrainën dhe për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën.
Zoti Milley u pyet për nevojën e dislokimit të forcave në krahun lindor të Evropës, që aleatët e NATO-s shqetësohen se mund të jetë objektivi i ardhshëm i Rusisë.
“Këshilla ime do të ishte krijimi i bazave të përhershme, por jo stacionimi i përhershëm (i forcave), duke i qarkulluar forcat në bazat e përhershme dhe jo duke i dislokuar ato në mënyrë të përhershme”, tha ai.
“Unë besoj se shumë nga aleatët tanë evropianë, veçanërisht ata si vendet baltike, Polonia dhe Rumania dhe të tjerë janë shumë, shumë të gatshëm të krijojnë baza të përhershme. Ata do t’i ndërtojnë, ata do të paguajnë për to”, tha ai.
Zoti Austin shtoi se së fundmi ai u takua dhe bisedoi me udhëheqësit e vendeve baltike, duke vënë në dukje se ata e bënë të qartë se vlerësojnë trupat amerikane atje.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me NATO-n për të vlerësuar se cilat do të jenë nevojat. Ne do të jemi pjesë e kësaj zgjidhjeje”, tha ai.
Pentagoni po vazhdon të rishikojë numrin e trupave në të gjithë Evropën dhe të shqyrtojë nëse do të shtojë më shumë apo do të zhvendosë disa prej atyre që janë tashmë atje.
Gjenerali Milley tha të martën se megjithëse nuk janë marrë ende vendime, ekziston një mundësi për shtimin e trupave amerikane në Evropë dhe kjo nevojë mund të plotësohet nga forcat që shërbejnë me rotacion.
Këto forca dislokohen për periudha më të shkurtra kohore. Forcat e përhershme shpesh vendosen për dy deri në tre vjet.
Gjenerali Milley pranoi gjithashtu se agresioni i Moskës në Ukrainë dhe kërkesat e saj të vazhdueshme që SHBA dhe NATO të pakësojnë trupat dhe armët në vendet evropiane përgjatë kufijve të Rusisë, sinjalizojnë një konflikt të gjatë në rajon që mund të shtrihet përtej Ukrainës.
“Unë mendoj se ky është një konflikt që do të zgjasë. Nuk e di nëse do të zgjasë për dekada, por me vite me siguri,” tha Gjenerali Milley.
“Mendoj se NATO, Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe të gjithë aleatët dhe partnerët që po mbështesin Ukrainën do të jenë të përfshirë për një kohë të konsiderueshme”, tha ai.
Sekretari Austin shtoi se kërkesat e gjera ruse nuk ishin të pranueshme për NATO-n dhe SHBA po shikon mënyra për të ofruar ndihmë dhe trajnim shtesë për vendet, përfshirë aleatët jo anëtarë të NATO-s si Gjeorgjia dhe Finlanda.
Të dy ata thanë se e vetmja mënyrë e mundshme për të frenuar rusët mund të kishte qenë vendosja e trupave amerikane në terren brenda Ukrainës, por ky opsion u hodh poshtë sepse paraqiste rrezikun për një luftë më të gjerë të SHBA-së me Rusinë.
Gjenerali Milley tha se ai nuk ishte i sigurt nëse presidenti rus Vladimir Putin mund të frenohej pasi agresioni ndaj Ukrainës kishte qenë një qëllim afatgjatë për Moskën.
Fraksion.com