AktualitetOp-EdTë fundit

“Edhe më tej kështu” nuk është e mundur në Hungari

Nga Dora Diseri

 

Për të katërtën herë, prej vitit 2010, fituesi i zgjedhjeve quhet Viktor Orban. Lufta e Ukrainës luajti këtë herë një rol të veçantë. Megjithatë, Orbani nuk mund të vazhdojë të veprojë si deri tani.

Një pyetje që shtrohet sërish: si mund të ndodhë, që Viktor Orban vazhdon të ketë kaq shumë mbështetje në Hungari? Deri tani, përgjigjja qe e thjeshtë: kjo kishte të bënte me opozitën e përçarë dhe të pafuqishme. Deri tani. Por këtë herë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, të gjashtë partitë opozitare kandiduan së bashku në zgjedhje. Pati madje zgjedhje paraprake dhe konkurencë për vendet në listë. Në vend të fushatave pa kuptim të agjitacionit u fol sërish për politikë përmbajtësore.

Orbani, luftëtari

Por përshtypja e mirë të gënjente. Partia Fidesz arriti që në fund t’i mobilizonte shumë më mirë se sa pritej zgjedhësit e pavendosur. Ajo korri fitore madje edhe në ato zona elektorale, ku qe parashikuar një fitore e opozitës. Si? Me retorikë luftarake Orbani ka qenë gjithmonë në gjendje të shënojë pikë. Vitet e fundit ai luftoi kundër shpenzimeve shtesë të qirave, kundër Brukselit, George Sorrosit, migrimit, NGO-ve – dhe aktualisht ai lufton kundër luftës.

Në fillim, sulmi rus e bëri të pasigurtë në fushatë partinë në pushtet në Hungari, por ajo e mori shpejt veten: Fidesz-i është në anën e paqes, dhe për aq kohë sa është ajo në pushtet, Hungaria nuk do të bëjë furnizime me armë, nuk do të dërgojë trupa paqeje në Ukrainë dhe nuk do të miratojë sanksione, që rrezikojnë furnizimin me energji të Hungarisë.

Zelenski si armik

Ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto madje e akuzoi hapur Ukrainën, që po ndikonte zgjedhjet në Hungari. Me këtë, qeveria hungareze është e vetmja në BE dhe në aleancën e NATO-s, që nuk e brohoret si hero presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski, por e sheh si armik, që bën aleancë me opozitën hungareze.

Nuk është rastësi, që Orbani nuk shoqëroi në mes të marsit kryetarët e qeverive të Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë në udhëtimin e tyre në Kiev, por në vend të kësaj preferoi të vizitonte Aleksandar Vuçiçin në Serbi, që ushqen me Rusinë një marrëdhënie të ngjashme të ngushtë si Hungaria – dhe që sapo i fitoi gjithashtu zgjedhjet në vendin e tij.

Në lojë qenë shumë gjëra

Për këtë fitore, Orbani vuri shumë gjëra në lojë. Me kursin e tij miqësor ndaj Rusisë ai rrezikoi traditën e gjatë të miqësisë polake-hungareze dhe madje bashkëpunimin me shtetet e tjera të Vishegradit. Veç kësaj, qeveria hungareze bëri të gjitha përpjekjet, për të maskuar inflacionin galopant në vend: prindërve iu kthye tatimi mbi të ardhurat, pensionistët morën një pension të plotë mujor shtesë, iu vu tavan çmimeve të benzinës dhe të ushqimeve dhe rritjet e çmimeve të energjisë elektrike dhe të gazit u vonuan me mbështetje masive shtetërore.

Gjendja nuk mund të mbetet e tillë. Këto masa, buxheti shtetëror i Hungarisë nuk i përballon dot gjatë. Orbani duhet të nisë kursin e kursimeve, po të mos dojë ta çojë në falimentim shtetin. Dhe izolimin politik, në të cilin ai e ka futur veten, ai gjithashtu duhet ta thyejë. Marrëdhëniet me shtetet e Vishegradit, por edhe pozicioni i Hungarisë në BE duhet të rehabilitohen.

Opozita dështoi

Disfata e opozitës bëri të qartë se edhe kjo aleancë nuk ka mbështetje. Ishte thuajse me fuqi simbolike, që kandidati kryesor i opozitës, Peter Marki-Zay, në fjalimin e tij nuk kishte pranë vetes bashkëpunëtorët nga partitë e tjera, por familjen e tij. Sido që të jetë, opozita nuk ishte sa duhet opozitare. Peter Marki-Zay ishte vetëm një kandidat kryesues i listës, që si mbështetës i dikurshëm i Fideszit ishte ndoshjta një variant “më i mirë” i qeverisë Fidesz, por jo alternativë e vërtetë.

Dhe ishte e djathta ekstreme ajo që përfitoi nga kjo. Pak njerëz prisnin seriozisht që lëvizja “Mi Hazank” (Atdheu ynë) të kalonte kufirin e pesë përqindshit. Tani ajo hyn në Parlament me shtatë mandate. Kjo parti lindi në vitin 2018 nga ndarja e degës së ekstremit të djathtë të partisë Jobbik dhe funksionon si një “parti satelite” e Fideszit. “Mi Hazank” fitoi më shumë vota te skeptikët e Covidit, kundërshtarët e vaksinave dhe te homofobët.

Botët paralele

Rezultatet e zgjedhjeve konfirmojnë polarizimin ekstrem të shoqërisë. Hendeku midis fshatit dhe qytetit vazhdon të zgjerohet, duke përfshirë edhe nivelin ideologjik. Opozita ka qytetet e mëdha dhe Fideszi zonat rurale. Ka vite që bashkëjetojnë këto realitete paralele: në njërën Orbani është ambasadori i paqes, që lufton për të drejtat e vendit dhe që konsiderohet shpëtimtar i kombit, dhe në tjetrën ai është një mashtrues i korruptuar që mbetet besnik ndaj Putinit dhe që po e nxjerr Hungarinë nga BE. Kjo duhet të ndalet. Orbani i ka thelluar hendeqet kaq shumë, sa që në fund do të bjerë vetë në to. Ai duhet ta kuptojë këtë, përndryshe dikur do të jetë shumë vonë edhe për të./dw

 

Fraksion.com