Nëpërmjet Rusisë refugjatët ukrainas hyjnë në Estoni
Zyrtarë të Estonisë kanë njoftuar se refugjatët ukrainas që mbërrijnë nga Rusia përfshijnë disa të zhvendosur nga qyteti i Mariupolit.
Ukraina ka akuzuar forcat ruse për “dëbimin” e mijëra civilëve nga Mariupoli, qytet ky i shkatërruar nga granatimet ruse.
Rusia mohon se ka detyruar njerëzit të largohen, por thotë se po kujdeset për mijëra njerëz nga atje.
Indrek Puvi, shefi i policisë në kufirin e Estonisë me Rusinë, tha se gjatë javës së kaluar rreth 200 refugjatë ukrainas kanë hyrë çdo ditë në Estoni, shtet anëtar i BE-së.
Përveç banorëve nga Mariupoli, kishte refugjatë nga Hersoni, Harkivi dhe qytete të tjera ukrainase.
Ai i tha për transmetuesin publik të Estonisë, ERR se disa kishin hyrë vullnetarisht në Rusi sepse nuk kishin mundur të iknin në Ukrainën perëndimore.
“Megjithatë, ka pasur edhe njerëz që janë drejtuar me forcë në Rusi dhe janë lejuar të largohen vetëm pasi kanë mbërritur atje”, tha ai.
Rusia po lufton për të marrë Mariupolin, me qëllim që të lidhë territorin e Gadishullit të Krimenë me rajonet lindore ukrainase, Donjeck dhe Luhansk.
Separatistët e mbështetur nga Rusia, që prej vitit 2014 kontrollojnë disa pjesë të territoreve të këtyre dy rajoneve, që ndryshe njihen me termin, Donbas.
Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.
Së fundmi, Moska është deklaruar se do të përqendrojë operacionet e saj ushtarake për të marrë kontrollin e pjesës lindore të Ukrainës./rel
Fraksion.com