“Më panë si objekt seksi në Amerikë”, këngëtarja shqiptare rrëfen si e ngacmuan në sy të burrit
Këngëtarja e njohur Linda Halimi po zhvillon karrierën në Amerikë, ku jeton prej vitesh por nuk është aspak e lehtë.
Në intervistë për “Goca dhe Gra”, Linda Halimi tha se i ka ndodhur që ta ngacmojnë edhe në sytë e bashkëshortit, ndaj ka zgjedhur të bëjë pushim nga muzika.
Linda Halimi: Si artiste femër, nëse mund ta them kështu, më shumë të shohin si objekt seksi sesa si artiste. Kur isha në studio, isha dhe me bashkëshortin dhe ai bëhej sikur nuk ishte bashkëshorti im se nuk donte të më prishte punë. Kur mbaronte kënga më thoshte një producent me emër, çfarë do bësh më vonë, do shohim film bashkë. Pas disa kohësh, vendosa të bëj pak pushim dhe të mos merrem më me industri.
Nuk kam hequr dorë, thjesht nuk e kam marrë më me ngulm. U dëshpërova se isha shumë në siklet. Më thonin hajde shkojmë në pushime unë dhe ti dhe vendosim këngët që do të marrësh.
Pyetje: A ka pasur një moment kur bashkëshorti ka thënë do heqësh dorë?
Linda Halimi: Jo, ai ka qenë mbështetësi më i madh. Nuk më ka thënë kurrë hiq dorë, por më ka thënë e gjejmë diku tjetër. I kemi lekët tona dhe nuk kemi nevojë. Por i thoja, 8 këngë i kam bërë me këtë producent, kam harxhuar gjithë ato lekë në studio. Një orë në studio kushton 65 dollarë në Amerikë dhe duhet gjithsesi të marrësh 4 orë. Pra 4 orë çdo ditë, imagjino sa lekë. Normal që ishte dëshpërim se gjithë ato foto e këngë me atë producent me nam dhe në fund po dal shumë keq se asnjë këngë nuk e kam nga ai.
Fraksion.com