AktualitetRajoniTë fundit

BE reagon ndaj pjesëmarrjes së kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore në Serbi

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet për liderët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht në Serbi, që të mos bëjnë veprime të cilat mund të shihen si mohim apo relativizim i krimeve të luftës dhe që shkojnë në kundërshtim me procesin e pajtimit dhe bashkëpunimit me fqinjët.

Këto porosi janë dhënë si përgjigje në pyetjet rreth raporteve se në Serbi persona të dënuar për krime lufte po marrin pjesë aktive në fushatë zgjedhore, ndërsa disa të akuzuar madje dhe janë në lista si pjesëmarrës në zgjedhje.

Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian ka përsëritur thirrjen për liderët në rajon që të punojnë në frymën e pajtimit.

“BE-ja ka qëndrim të qartë parimor për nevojën për pajtim dhe qëndrime ndaj ngjarjeve të luftës. Procesi zgjedhor është në vazhdim e sipër dhe ne përsërisim rëndësinë e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse dhe kredibile, të zhvilluara në përputhje me ligjet ekzistuese dhe standardet ndërkombëtare”, ka thënë ajo të enjten gjatë nje konference për media.

Sa i përket pjesëmarrjes së kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore, zëdhënësja e BE-së ka thënë:

“Nuk ka vend në Evropë për mohim të gjenocidit, revizionizëm dhe glorifikim të kriminelëve të luftës, që shkon në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit ka thënë se “liderët në Ballkanin Perëndimor duhet të japin shembull duke pranuar atë që ka ndodhur, të respektojnë viktimat dhe në mënyrë të sinqertë të promovojnë pajtimin duke u përballur me rrënjët e urrejtjes që çuan deri te gjenocidi”.

Disa media dhe organizata të shoqërisë civile nga Serbia kanë tërhequr vërejtjen për pjesëmarrjen e kriminelëve të luftës në fushatë zgjedhore. Fondi për të Drejtën Humanitare nga Beogradi po ashtu e ka ngritur këtë çështje.

Sipas kësaj organizate, Sasha Cvjetan, i dënuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, ka marrë pjesë në një manifestim në Srebrenicë krahas ministrit të Brendshëm të Serbisë Aleksandar Vulin. Fondi për të Drejtën Humanitare nga Serbia e ka quajtur të papranueshme praninë e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë në manifestime ku marrin pjesë persona që janë dënuar pë krime lufte.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), nga ana tjetër, ka njoftuar se disa të dënuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës kanë marrë pjesë në fushatën zgjedhore të Partisë Progresiste të Serbisë. Kanë përmendur Vladmir Lazareviqin, Veselin Shlivançaninin dhe Nikola Shainoviqin.

Llazareviqi ka qenë komandant i korpusit të Prishtinës i ushtrisë serbe në kohën e luftës dhe është dënuar me 14 vjet burgim për krime lufte. Gjenerali Shljivançanin ishte dënuar për krime lufte në qytetin e Vukovarit në Kroaci, në vitin 1991.

Edhe më parë Komisioni Evropian ka bërë ftesë që të mos u jepet hapësirë publike kriminelëve të luftës dhe të mos relativizohen krimet e tyre në mënyrë që të mos rrezikohet procesi i pajtimit në rajon.

 

Fraksion.com